Krimet serbe në Kuvend/ Rama cakton Spiropalin të përgjigjet, Tritan Shehu: Ky po kërkon ta zhvlerësojë çështjen e Kosovës

Kryeministri Edi Rama e ka injoruar edhe sot Kuvendin dhe çështjen Kosovës. I thirrur në interpelancë nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu, për të dhënë shpjegime mbi platformën politike të qeverisë shqiptare mbështetje të qeverisë së Kosovës, Rama ka kërkuar që të përgjigjet ministrja e shtetit Elisa Spiropali.

Pikërisht kjo sjellje indiferente është kritikuar ashpër nga Shehu, ish-ministër i Jashtëm i vendit në qeverisjen e PD-së, i cili reagoi em fjalët:

“Ky parlament realisht po kthehet në një maskaradë të turpshme ku nuk respektohet rregullorja. Në rregulloren e këtij parlamenti nuk shkruhet në asnjë pikë që “delegohet interpelanca”.

Më gjeni një pikë ku shkruhet kjo gjë. Atij që i kërkohet interpelanca, sipas kësaj rregulloreje, është i detyruar në tri javë të realizojë interpelancën. Ky është një rregull universal në të gjitha parlamentet e botës dhe nuk mund të ketë delegime të tilla.

Në mënyrë absurde këtu kërkohen të bëhen të tilla, formalizime. Nuk është bërë ndonjë gjë që më turpëron mua, jo, por kërkohet të zhvleftësohet çështja, kërkohet që kryeministri të mos ballafaqohet me çështjen; kërkon që të mos i japë përgjigje çështjes.

Unë kam qenë shumë i sinqertë dhe kam thënë jam dakord që ta shtyjmë edhe pak kohë e të presim të vijë Kryeministri dhe në fund të fundit, në një gjë të tillë mund të ishte Ministri i Jashtëm.
Por ky parlament nuk besoj se ka specialistë për gjithçka. Unë nuk mund të marr pjesë në interpelancë për bujqësinë apo gjeologjinë, ndaj gjërat janë të ndara. Këtu po shkatërrohet thelbi i funksionit normal të parlamenti dhe po i shmangen përgjegjësive”, iu drejtua ai kryeparlamentares Lindita Nikolla.


Shtuar 16.05.2024 11:35