Krime me porosi nga burgu! Nga Emiljano Shullazi te Redjan Rraja, kush janë të burgosurit e izoluar

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paralajmëroi dje të tjerë të dënuar që do të izolohen në regjimin “41 bis”, në mënyrë që sipas tij të parandalohen veprimtari kriminale që komandohen nga burgjet.

“Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale duhet të jenë vende për rehabilitimin dhe riaftësimin shoqëror të të dënuarve dhe të paraburgosurve, por nuk mund të jenë qendra ku komandohet veprimtaria kriminale që kryhet jashtë institucionit”, u shpreh Manja.

Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar nga OSBE-ja për një trajnim për menaxhimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në Regjimin e Posaçëm në përputhje me të drejtat e njeriut, Manja deklaroi: “Të tjerë eksponentë sipas ligjit në Regjimin e Posaçëm”. Ai pohoi se institucionet ndodhen në proces me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe që këtij regjimi të mund t’i nënshtrohen dhe të tjerë eksponentë. Në mbështetje të këtij pohimi, Manja ka treguar më parë se vetëm gjatë muajit nëntor janë vendosur në ambientet e Regjimit të Posaçëm 4 eksponentë.

MINISTRI

Gjatë fjalës së tij Ministri i Drejtësisë ka shpalosur qëndrimet e tij për sa i takojnë të drejtave të njeriut, edhe në sistemin penitenciar, duke theksuar se angazhimi i tij do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë në zbatimin total të këtyre të drejtave me qëllim riintegrimin e këtyre personave. Por sipas ministrit të Drejtësisë, IEVP-të janë institucione rehabilitimi dhe jo qendra nga ku drejtohet veprimtaria kriminale jashtë mureve.

“Prandaj reforma jonë për krijimin e Regjimit të Posaçëm rezultoi e përligjur. Nëpërmjet ‘41-bis’ ne arrijmë të realizojmë parandalimin e aktiviteteve të mëtejshme të paligjshme duke shmangur kontaktet mes eksponentëve tepër të rrezikshëm të burgosur dhe ‘ushtarëve’ të lirë të krimit të organizuar ose anëtarëve të familjes, të cilët mund të çojnë përpara veprimtarinë e tyre kriminale”, është shprehur Manja. Ai ka theksuar se sistemi nuk është mjet ndëshkimi për këta persona, por parandalimi për kryerjen e krimeve të tjera. Ministri i Drejtësisë nuk ka lënë pa përmendur edhe punën e vështirë të stafit të Policisë së Burgjeve.

“Stafi i Policisë së Burgjeve ka një detyrë të vështirë, nga njëra anë duhet të parandalojë kontaktet e paligjshme kriminale të kësaj kategorie me botën e jashtme, por nga ana tjetër i duhen siguruar këtyre të burgosurve dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut”, ka thënë ai.

Aktualisht, në regjimin “41 bis” janë izoluar 8 të dënuar: Aleksander Llanaj, Fatmir Pjetri, Redjan Rahja, Arber Çekaj, Arbjon Aliko, Emiljano Shullazi, Endrit Qyqja dhe Genci Balla. Ligji për Regjimin e Posaçëm njohur si “41-bis”, i përshtatur nga Italia, ka hyrë në fuqi prej muajit janar 2019, por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK-ut që u ngrit vetëm në dhjetor 2019. Regjimi “41-bis” është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë. /albeu.com/


Shtuar 1.12.2021 09:10