Kreu i SPAK, Altin Dumani mori pjesë në takimin e parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”.
Në takimin pa praninë e kamerave, Dumani është shprehur se SPAK po vijon punën për hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimit të organizuar.
I pyetur nga pjesëmarrësit në takim se deri ku do të shkojë SPAK në kupolën e zyrtarëve të lartë, Dumani u përgjigj shprehimisht: “Nuk do kursejmë askënd”.
“Për vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur. Rezultatet na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë”, tha kreu i trupës së prokurorëve të posaçëm.
Kjo deklaratë vjen një ditë pas arrestimit të drejtorit të ARRSH Evis Berberi, bashkëpunëtorit më të afërt të Belinda Ballukut, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ndërkohë që edhe roli i vetë ministres më të rëndësishme të qeverisë Rama është nën hetim.
Më pas Dumani u ndal te lufta ndaj krimit të organizuar, kërcënimet e të cilit përbëjnë shqetësim, por sipas tij, anëtarët e SPAK janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata./albeu.com