Kosovë/ Zgjatet afati për konvertimin e lejes së drejtimit, ja data e fundit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se është zgjatur afati për aplikim të pjesëtarëve të komunitetit serb, për të konvertuar patentë shoferët e tyre të lëshuar nga institucionet serbe, në ato të Kosovës.

Afati është zgjatur deri më 23 gusht, pasi ministri Sveçla tha se ka interesim të madh për aplikim.

“Pas kësaj date, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentë shoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, shkroi Sveçla në Facebook.

Sipas Sveçlës, deri më tani 5.588 qytetarë të komunitetit serb kanë aplikuar për t’i konvertuar këto dokumente dhe vetëm gjatë ditës së djeshme kanë qenë 273 aplikime.

Kosova nuk njeh dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

Më herët, Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pasi të kalojë afati për konvertimin e patentë shoferëve, të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë këto dokumente të lëshuara nga Serbia, do të konsiderohen se janë duke e drejtuar veturën pa patentë shoferë.

Nga Policia kanë thënë se në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.

Shuma e gjobave, sipas ligjit, është nga 500 deri në 1.500 euro.

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin për pajisjen e serbëve në Kosovë me patentë shoferë RKS-Republika e Kosovës.

Vendimi hyri në fuqi më 9 maj dhe ishte paraparë të përfundonte më 9 gusht.

Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM (Mitrovica e Kosovës).

Procesi i riregjistrimit të automjeteve, i cili ka zgjatur prej fundit të vitit 2022 deri në mesin e dhjetor të vitit 2023, ka nxitur një sërë krizash në veri të Kosovës: daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, protesta, barrikada, bojkot të zgjedhjeve, dhe gjithçka kulmoi me një sulm të armatosur të një grupi të organizuar të serbëve kundër Policisë së Kosovës.

Megjithatë, sot, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës-Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, nuk mund të shihen targat KM, me të cilat vlerësohej se ishin të regjistruara rreth 10 mijë makina.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, rreth 4.000 vetura i kanë konvertuar targat KM në RKS, ndërsa pjesa tjetër i ka regjistruar veturat e tyre në qytete të Serbisë.

 


Shtuar 8.08.2024 12:40