Qeveria e Kosovës ka miratuar marrëveshjen e lëvizjes me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas hyrjes në fuqi, do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina.
Në mbledhjen e mbajtur më 8 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Kurti tha se Qeveria do ta procedojë këtë legjislacion në Kuvend për ratifikim.
“Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje për rajonin, “pas ratifikimit nga dy vendet përkatëse, qytetarët e Kosovës dhe të Bosnjë e Hercegovinës do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime”.
Kjo marrëveshje ende nuk është miratuarnga autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë.
Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.
Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.
Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës./REL/