Autoritetet tajlandeze akuzojnë Kamboxhian se ka vendosur armatim në një zonë të diskutueshme pranë provincës bregdetare të Trat-it, duke e konsideruar këtë si shkakun kryesor të rinisjes së përleshjeve përgjatë kufirit. Sipas Bangkokut, ky dislokim ka rritur tensionet dhe ka nxitur rifillimin e sulmeve në zonën kufitare.
Hun Sen, kryetar i Senatit, deklaroi se forcat kamboxhiane u përgjigjën ushtarakisht vetëm pasi “kishin treguar durim për më shumë se 24 orë, në respekt të armëpushimit dhe për t’u dhënë kohë civilëve të evakuoheshin”.
Ai shtoi se vendi i tij “po lufton për vetëmbrojtje”, duke akuzuar Tajlandën për shkelje të marrëveshjeve të arritura muajt e fundit.
Përplasja e tanishme lidhet me një konflikt të vjetër, të rrënjosur në kufijtë e përcaktuar gjatë periudhës koloniale franceze.
Të dy shtetet pretendojnë disa tempuj dhe zona historike përgjatë vijës së sotme kufitare, çka ka qenë prej vitesh burim tensionesh.
Kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, theksoi se ushtria “do të mbrojë sovranitetin kombëtar” dhe mohoi mundësinë e një tërheqjeje të menjëhershme nga zonat e përfshira.
Ndërkohë, në SHBA, Donald Trump komentoi situatën gjatë një mitingu, duke deklaruar: “Kam zgjidhur tetë luftëra, përfshirë atë mes Tajlandës dhe Kamboxhias, e cila ka nisur sërish sot. Nesër do t’i telefonoj. Kush tjetër mund të bëjë një telefonatë dhe të zgjidhë një luftë”.
