Ndërsa debati publik për projektin “Smart City” mbetet i ndezur, kompania që do të përfitojë 140 milionë dollarë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë tashmë është krijuar. Presight AI Ltd, kompania arabe që ka siguruar kontratën kontroverse, ka themeluar zyrtarisht degën e saj në Shqipëri, vetëm tre javë më parë, trasnmeton Albeu.com.
Presight AI Ltd Albania Branch është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me një objekt të qartë dhe të vetëm: zbatimin e projektit “Smart City” në Republikën e Shqipërisë. Në ekstraktin zyrtar të kompanisë thuhet se aktiviteti përfshin furnizimin me pajisje dhe programe kompjuterike, instalimin, zbatimin, si dhe shërbimet e mbështetjes dhe mirëmbajtjes — me pak fjalë, gjithçka që parashikon kontrata e majme prej 140 milionë dollarësh.
Një projekt 140 milionë dollarë, një tender zero
Siç mëson Albeu.com, projekti “Smart City” parashikon instalimin e rreth 5 mijë kamerave të monitorimit në qytetet kryesore të vendit, si dhe furnizimin e Policisë së Shtetit me rreth 3 mijë kamera trupore. E gjitha kjo, sipas qeverisë, për rritjen e sigurisë dhe menaxhimin inteligjent të trafikut.
Por pas fasadës teknologjike fshihet një skemë financiare që ngarkon Shqipërinë me një borxh të rëndë. Në mars të vitit të kaluar, qeveria miratoi në Parlament një kredi prej 118 milionë dollarësh nga Fondi i Abu Dhabit, me afat shlyerjeje 15 vjet dhe interes 4 për qind. Ironia është se paratë nuk qëndrojnë asnjë ditë në Shqipëri: ato kthehen sërish në Abu Dhabi për të paguar Presight-in, pa asnjë procedurë gare.
Kontrata për zbatimin e projektit iu besua Ministrisë së Brendshme, e cila ngriti një grup të posaçëm negociator. Por hezitimi për të firmosur një kontratë pa tender dhe me kosto marramendëse solli tensione në nivelet më të larta të qeverisë.
Në nëntor, kryeministri Edi Rama u pa publikisht i acaruar në rrugët e Romës, duke i bërtitur në telefon zëvendësministrit Julian Hodaj për vonesat në mbylljen e kontratës. Pak ditë më pas, Hodaj u shkarkua. Në vend të tij u emërua Xhemal Qefalia, i cili, ndryshe nga paraardhësi, nuk ngurroi: më 19 dhjetor, firma mbi kontratën u hodh.
Çfarë blihet me 140 milionë dollarë?
Sipas dokumenteve zyrtare, projekti përfshin instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin urban dhe trafikun, ndërtimin e një qendre kontrolli, si dhe pajisjen e policisë me teknologji monitorimi.
Në detaje, kontrata parashikon:
-
2 239 kamera ANPR për njohjen automatike të targave,
-
2 602 kamera PTZ për monitorimin e trafikut,
-
3 816 kamera trupi për punonjësit e Policisë së Shtetit,
-
100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme për monitorimin e shpejtësisë dhe sigurisë rrugore.
Kompania do të ofrojë gjithashtu shërbime mirëmbajtjeje për katër vite.
Inflacion kostosh dhe mungesë transparence
Kostoja e projektit ngre pikëpyetje serioze. Vetëm për licencat e softuerëve do të paguhen 31 milionë dollarë. Pajisjet harduerike dhe infrastruktura kushtojnë 62.4 milionë dollarë. Tetë milionë dollarë shkojnë për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë dollarë për mirëmbajtje — të gjitha këto pa TVSH.
Në total, fatura arrin në 140 milionë dollarë.
Ekspertët e tregut vërejnë se kamerat ANPR dhe PTZ gjenden lehtësisht në treg me çmime nga 500 deri në 1 500 dollarë për copë. Në këtë dritë, shifra prej mbi 62 milionë dollarësh për rreth 8 mijë kamera duket e fryrë në mënyrë flagrante.
Por kur nuk ka garë, inflacioni i kostove nuk është surprizë. Skema është e njohur: vendimi vjen nga lart, firmat hidhen poshtë, ndërsa faturën e paguajnë qytetarët.
Me fjalë të tjera: Kompania u krijua që 140 milionë dollarët të ndryshojnë duar. /albeu.com/
