Komisioni Europian “detyron” stafin të fshijë TikTok

Komisioni Europian u ka kërkuar zyrtarëve të tij që të fshijnë  aplikacionin kinez TikTok nga telefonat e tyre, tha komisioneri europian Thierry Breton.

Në një konferencë për mediat, Breton deklaroi se BE po fokusohet në sigurinë kibernetike, por nuk dha detaje nëse ka pasur ndonjë incident që përfshin TikTok.

Një zyrtar europian tha më herët për Politico se të enjten në mëngjes i gjithë stafi u udhëzua të fshinte TikTok nga pajisjet e tyre të korporatës. Zyrtarët e Komisionit duhet gjithashtu të fshijnë TikTok nga pajisjet e tyre personale.

Zyrtarët e Komisionit duhet të fshijnë aplikacionin “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe para datës 15 mars.

Institucionet e tjera të Bashkimit Europian, përfshirë Këshillin dhe Parlamentin, ka të ngjarë të zbatojnë të njejtën gjë.

Qeveritë në Perëndim janë gjithnjë e më shumë të shqetësuara se kompanitë kineze të teknologjisë po ndihmojnë qeverinë e Kinës dhe agjencitë e inteligjencës të mbledhin sasi të dhënash nga e gjithë bota.

SHBA në dhjetor e ndaloi aplikacionin nga të gjitha pajisjet e qeverisë federale për shkak të frikës së spiunazhit nga Kina, ku ndodhet kompania mëmë e TikTok, ByteDance.

Shefi ekzekutiv i TikTok, Su Zhiqiu, do të dëshmojë për herë të parë para Kongresit Amerikan më 23 mars për rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare të SHBA.


Shtuar 23.02.2023 13:56