Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim, ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë.
Ai tha se kanë katërfishuar praninë e KFOR-it në veri kanë trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit.
“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit.
Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit.
KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt”, tha ai.