KLSH: Probleme në disa spitale, Onkologjikun duhet ta hetojë SPAK

Arben Shehu, kreu i kontrollit të lartë të shtetit tregon se nga auditimet që po mbyllen në sistemin shëndetësor publik, situata është aspak e mirë jo vetëm tek Onkologjiku.

“Jemi në kushtet ku ne kemi konstatuar një sërë problematikash përgjatë auditimit sepse dua të theksoj këtu që janë kryer dhe po kryhen, pjesë e të cilave është edhe spitali Onkologjik dhe njëkohësisht dua t’ju them me përgjegjësi të plotë se jemi në një lloj trajtimi të thelluar, procese të cilat janë të papërfunduara, njëkohësisht jemi në trajtim të thelluar juridik në ato raste të cilat janë të përfunduara dhe duhet t’ju bëj me dije se përfundimi i problematikave në spitalin onkologjik pavarësisht rëndësisë që ka është vetëm një pjesë e segmentit të situatës reale”, tha Shehu.

Por Arben Shehu thotë se kjo dosje me gjetjet konkrete duhet hetuar nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Tiranës.

“Problematika për fat të keq është më e madhe, ne jemi të detyruar të ndërthurim përgjegjësitë jo vetëm të një institucioni. Për të nxjerrë në pah një tablo të plotë të situatës në këtë drejtim dhe dua t’ju theksoj që është shumë e rëndësishme, jemi të mendimit dhe kemi vlerësuar se kjo është një kompetencë e prokurorisë speciale, për shkak të përcaktimeve të ligjit dhe rëndësisë që ka problematike që do e bëjmë publike në vijim“.

Njëra nga kallëzimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se i është dorëzuar SPAK. /Top Channel


Shtuar 28.06.2024 09:02