KLSH kallëzon në SPAK ish-drejtorin e Portit Durrës dhe 6 punonjës

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK ish-drejtorin e përgjithshëm të autoritetit Portual Durrës dhe 6 punonjës të tij.

Sipas KLSH, nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë.

Njoftimi i KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës (APD) për periudhën e veprimtarisë 01.07.2018- 31.12.2020.

Konkretisht nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialist.

Veprimet e ish Titullarit të APD dhe punonjësve të tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, si dhe rregullat e prokurimit publik, duke sjellë për pasojë keqpërdorim të fondeve publike.


Shtuar 26.01.2022 16:00