Policia ka vënë në pranga shtetasin Anton Ndreca , 34 vjeç në Shëngjin, me detyrë administrator i një shoqërie ndërtimi.
Ai kishte shtuar dy kate në një objekt ekzistues te “Rana e Hedhun”, pa lejen e organeve kompetente. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Lezhë
Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për ndalimin e shtetasit A. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i një shoqërie ndërtimi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit në një objekt ekzistues në pronësi të tij, te “Rana e Hedhun”, Shëngjin, u konstatua se kishte ndërtuar 2 kate të tjera, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./albeu.com