Një flotë e marinës ushtarake kineze u nis të dielën për t’iu bashkuar forcave detare dhe ajrore të Rusisë në Detin e Japonisë në një stërvitje që synon “ruajtjen e sigurisë së linjave strategjike detare”, njoftoi ministria kineze e mbrojtjes.
Manovrat, e emërtuara “Northern/Interaction-2023”, janë një tregues i rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes Kinës dhe Rusisë, që nga fillimi i sulmit të Rusisë në Ukranë. Ato po zhvillohen ndërsa Pekini vazhdon të refuzojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për rivendosjen e komunikimit ushtarak.
Flota kineze, e përbërë nga pesë luftanije dhe katër helikopterë, u nis nga porti lindor Qingdao dhe do të takohet me forcat ruse në një “zonë të paracaktuar”, njoftoi ministria kineze të dielën në llogarinë e saj zyrtare në WeChat.
Të shtunën, ministria kineze e mbrojtjes kishte njoftuar se forcat detare dhe ajrore të Rusisë do të merrnin pjesë në një stërvitje në Detin e Japonisë.
Sipas gazetës shtetërore kineze Global Times, e cila citonte ekspertë ushtarakë, kjo do të jetë hera e parë që marrin pjesë në stërvitje njëkohësisht forca ruse të detit dhe të ajrit.
Dy nga anijet ruse që marrin pjesë në stërvitjet në Detin e Japonisë, “Gromkiy” dhe “Sovershenniy”, kishin marrë pjesë më herët këtë muaj në një tjetër stërvitje me marinën ushtarake kineze në Shanghai, të përqëndruar tek lëvizja e formacioneve, komunikimi dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.