Kina partnere, por jo strategjike: Si i preu Shqipëria “fijet” e Pekinit në sektorët e ndjeshëm

Kina ngel një partner kyç për Shqipërinë në termat ekonomikë, kryesisht për sasinë e mallrave të saj që shiten në tregun tonë. Megjithëkëtë, politika shqiptare është treguar e kujdesshme të mbajë larg kompanitë kineze nga investimet në sektorë strategjikë. Pasi u larguan nga aeroporti i Rinasit, kinezët janë ende të pranishëm në sektorë si hidrokarburet dhe mineralet. Tirana zyrtare ju ka mbyllur disa herë derën tentativave kineze për të depërtuar në sektorë të ndjeshëm, dhe në anën tjetër Shqipëria ka ulur përfaqësimin në iniciativa politike të udhëhequra nga Pekini.  

Nga Esiona Konomi 

Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, duke ruajtur ndër vitet vendin e dytë ose të tretë për shkëmbimet tregëtare.

INSTAT dëshmon përmes shifrave, se pavarësisht kësaj rëndësie, flukset tregëtare bazohen mbi produktet kineze që vijnë e shiten në Shqipëri, me një diferencë 10 herë më të ulët të prodhimeve shqiptare që mund të shiten në Kinë.

Pra, ne importojmë 10 herë më shumë, se sa eskportojmë në Kinë, një raport ky që konfirmohet në shifrat zyrtare gjatë 5 viteve të fundit.

Shkëmbimet tregtare me Kinën zënë 8.5 % të të gjithë vëllimit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Importet dominohen nga pajisjet elektrike, hidrosanitarë, makineri. Për tu pasuar nga  artikujt të gizës dhe çelikut. Veshjet janë kategoria e 3-të më e rëndësishme e mallrave që vijnë nga Kina, për të vazhduar me plastikën dhe mobiljet kineze, si: krevatët, dyshekët, llampat dhe pajisjet e ndriçimit etj. Eksportet Shqiptare në Kinë dominohen nga kromi, por nuk përjashtohen edhe frutat dhe perimet.

Tabela: Shkëmbimet tregëtare me Kinën (milionë lekë)

Burimi: Instat

Viti 2019 2020 2021 2022 2023
Eksporte 6,211 5,003 9,058 9,813 10,074
Importe 59,727 54,038 65,202 77,476 93,750

Çfarë eksportojmë në Kinë?

Krom

Fruta-perime

Çfarë importojmë nga Kina?            

                     

Pajisje elektrike, hidrosanitarë, makineri

Gizë dhe çelik

Veshje

Plastikë

Mobilje

INVESTIMET KINEZE

Pavarësisht se Kina ngel një partner strategjik për ekonominë dhe tregjet tona janë të mbushura me produkte të saj, qeveria shqiptare nuk e ka Pekinin një aleat të preferuar, aq më pak në sektorë strategjikë.

AEROPORTI

E orientuar nga balancat politike, Shqipëria është distancuar nga aleancat e diplomacisë ekonomike kineze, duke dhënë shenjën e parë në vitin 2020 kur largoi nga pika më strategjike, aeroporti i vetëm i vendit, investitorin kinez.

Në vitin 2016, REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED një kompani kineze – bleu 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Marrëveshja u prish në 2020 kur kinezët ja transferuan aksionet grupit shqiptar Kastrati që ende menaxhon Aeroportin e Rinasit. Aksionet kishin vlerë 71 milionë euro.

Problemet nisën pas grabitjes spektakolare të 10 milionë eurove në Rinas në prill 2019, gjë që për kryeministrit ishte provë se kinezët kishin dështuar me sigurinë.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme.Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht”,-tha Edi Rama, prill 2019.

Por a ishte vërtetë kjo arsye apo pretekst?

‘Vjedhja në Rinas ishte një ngjarje mjaftueshmërisht e fortë për të tu përdorur për një qëllim që nuk lidhej me atë që ndodhi në vetvete. Po ngjarja ishte e madhe dhe krijoi të gjitha premisat që qeveria ta largonte koncesionarin kinez. Por nuk ishte kjo arsyeja e vërtetë. E vërteta është se kinezët, duke pasur aeroportin, kishin në dorë një aset strategjik jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të NATO-s. Pra vjedhja ka qenë justifikim. Partnerët patën një udhëzim, presion, që ky aerport i NATO-s tashmë, të menaxhohet nga një kompani lokale ose kompani e një vendi partner, por jo nga një kompani kineze’,-vlerëson Pano Soko, ekspert ekonomie.

RRJETI 5G

Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kinën për rrjetin e internetit 5G. SHBA-të u shfaqën të shqetësuara mbi rrezikun e mbikqyrjes nga Kina në jetën digjitale të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje, më pas, u firmos me Amerikën, moment kyç ky për të dëshmuar zgjedhjet e Shqipërisë.

 

“Zgjedhja politike e Shqipërisë ndaj Kinës, ka sjellë edhe kosto për shoqërinë shqiptare, dhe rrjeti 5G ka qenë një prej sakrificave. Sot ne nuk e marrim dot këtë teknologji, sepse e vetmja që e ofron është Kina. Tendenca jonë për të ruajtur devizën politike, ka qenë më e fortë se sa përfitimet që mund të merrnim. Këtu përfshihen edhe investimet potenciale kineze që mund të kishim pasur në hekurudha, rrugë, etj. Shqipëria ka qëndruar besnike e linjës për të mos qenë në varësi, sepse varësia ekonomike, sjell varësi politike. Ka një konsensus popullor për këtë zgjedhje dhe nuk shoh ndonjë reaksion të brendshëm, e as ndonjë tendencë nga vetë Kina së jashtmi për tu imponuar. Palët janë të qarta e nuk ka vend për avancim të mëtejshëm”,-argumenton Pano Soko.

BANKERS DHE BERALB

Megjithëkëtë, në Shqipëri vijojnë të jenë prezente dy investime të huaja kineze të përqëndruara në nxjerrjen e lëndëve të çmuara nga nëntoka.

Bankers Petroleum është investimi më i rëndësishëm kinez në Shqipëri. Kompania kineze Geo-Jade Petroleum bleu 100% të aksioneve të kompanisë Bankers në 2016. Dhe prej 7 vitesh shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Zyrtarisht, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tregon se numri i punonjësve të Bankers gjatë 2023 ishte 463 vendas dhe 32 të huaj. Prodhimi i naftës dhe nënprodukteve të saj gjate vitit 2023 u llogarit përafërisht 527,000 tonë. Renta minerare për 2023 u vlerësua rreth 22 milion USD.

Marrëveshja e shfrytëzimit të nëntokës sonë në Patoz Marinzë nga kompania kineze përfundon në vitin 2029.

Në 2014, gjiganti kinez i bakrit “Jiangxi Koper” nisi operimin në të gjitha vendburimet e bakrit në Shqipëri, pasi bleu 50% aksionet nga kompania turke “Beralb”.  Deri në 2043, kinezët do operojnë bashkë me turqit koncensionin e bakrit në minierat e Munellës, Lakrosh, Karma si dhe Fush-Arrëz.

E pyetur për performancën e kësaj kompanie, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se, sipas vetdeklarimeve të subjektit, numri i të punësuarve në lejet minerare që zotëron shoqëria është 196 persona.

Sasia e mineralit të bakrit e prodhuar për vitin 2023 është 275 190 ton.

Por pavarësisht kësaj, siç thuhet zyrtarisht nga AKBN, renta minerare që ajo paguan, është zero.

Por çfarë rëndësie specifike kanë këto dy kompani në sferën ekonomike të vendit?

“Sot që flasim, volumi ekonomik i gjeneruar nga kompanitë kineze është i rëndësishëm, 0.4-0.7 %  e PPB. Kryesori është Bankersi, i zotëruar nga një kompani shtetërore kineze. Edhe pse sektori i naftës është strategjik, risku ngel i ulët, pasi pjesa tjetër e zinxhirit kontrollohet nga shteti shqiptar dhe ligjet e tij. Kompanitë në fjalë kanë fare pak autonomi. Kjo autonomi e kushtëzuare na mbron nga sabotimet që mund të vijnë nga një partner jo partner politik. Varësia e ekonomisë shqiptare nga investimet kineze është shumë e ulët. Ndoshta jemi vendi me impaktin më të vogël në rajon. Ne si shtet jemi kujdesur që të kemi politikë konservatore. Nuk e shoh me risk edhe nuk shoh as interes nga Kina për tu zgjeruar në Shqipëri. E ka kuptuar devizën tonë politike. Cdo qeveri do të vijojë ta ruajë këtë qasje,”-sqaron eksperti Pano Soko.

ANALIZA GJEO-POLITIKE

Në përfundim, edhe pse Kina na intereson për produktet e saj, politika shqiptare ka zbehur shkëmbimet dhe ka ulur përfaqësimin në aleanca të inicuara nga Pekini, duke zgjedhur qartazi aksin amerikan, në duelin ekonomik botëror: Kine-SHBA.

“Nuk është se kemi pasur marrëdhënie të forta ekonomike. Dinamika ka qenë me antitudë të ulët. Sidomos nga koha kur ne instaluam marrëdhënien me NATO-n. Kemi pasur cikle të shkurtra, por pa ndonjë impakt domethënës. Nuk pres që kjo të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Investimet kineze do të ishin të rrezikshme, nëse do të ishin aq shumë të mëdha sa për të krijuar presion për të ndikuar në politikën, sidomos të jashtme. Misioni i Kinës është të blejë politikën e jashtme të vendeve duke u krijuar varësi ekonomike. Në Shqipëri investimet kineze nuk janë aq të mëdha sa të na kushtëzojnë në politikën ndërkombëtare, apo në të brendshmen, pse jo”,-përfundon vlerësimin e tij eksperti Pano Soko.


Shtuar 16.05.2024 16:39