Në reagimin e tij të parë pas sulmeve ajrore të natës nga Rusia, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje aleatëve të vendit që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura në Paris, gjatë takimit të fundit të “koalicionit të vullnetit të mirë”.
Në një mesazh të publikuar në Telegram, Zelensky njofton se Ukraina është goditur nga më shumë se 800 dronë, si dhe 13 raketa, katër prej të cilave raketa balistike.
Duke përmendur raportimet tragjike nga Kievi, ku një grua 32-vjeçare dhe foshnja e saj dy muajshe u vranë gjatë sulmeve, ai shkruan: “Vrasje të tilla, tani që diplomacia reale mund të kishte nisur prej kohësh, janë krime të qëllimshme dhe zgjatje e luftës”.
Zelensky i referohet takimit të zhvilluar këtë javë në Paris, ku përfaqësues të disa vendeve diskutuan për garanci të reja sigurie për Ukrainën, përfshirë idenë e vendosjes së një “forcë sigurie” pas një marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë.
Presidenti ukrainas thekson se vetëm presioni ndërkombëtar mund t’i japë fund agresionit rus.
“Bota mund t’i detyrojë kriminelët e Kremlinit të ndalojnë vrasjet. Gjithçka që duhet është vullneti politik”.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin, ka refuzuar kategorikisht çdo sugjerim që vendet aleate të Ukrainës të dërgojnë trupa në territorin ukrainas, edhe pas një armëpushimi të mundshëm.