Kërcënime se do sulmohen/ SPAK i jep 649 milion lekë kompanisë “AlbaScan” për mbrojtje

Dy godinat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ushtron funksionin dhe Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(GJKKO), do blindohen me një perimentër të lartë sigurie, i cili mësohet se do ketë disa nivele.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka siguruar dokumente që tregojnë rritjen e shpenzimeve financiare nga ana e SPAK (649 mln lekë), të cilat do shkojnë për sigurinë e godinës, ku ushtrojnë detyrën, prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë të BKH-së.

Këto masa për blerjen e sistemeve elektronike mbrojtëse, për shumë njerëz mund të duken të ekzagjëruara, por SPAK synon të blindojë nga jashtë dhe brenda hyrjet dhe daljet e objektit.

Drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme, duke marë në konsideratë informacionet për sulme kriminale, kërkojnë të krijojnë një “umbrellë” mbrojtëse rreth godinës, me qëllim parandalimin e çdo agresori sulmues, që mund të kryhet qoftë nga toka apo nga ajri.

Dhe për të vënë në zbatim këtë plan, SPAK ka zgjedhur në dy procedura tenderuese, t’ia besojë punën e sigurimit të godinës, kompanisë private “AlbaScan”, që aktualisht menaxhohet dhe kontrollohet nga Elton dhe Elision Jorgjis.

Ky është tenderi i parë që kjo kompani fiton në SPAK, duke dhënë ofertën fituese prej 649.8 milion lekë të vjetra.

Ndërkohë që vetë fondi limit i SPAK ishte planifikuar për t`u shpenzuar, diku tek 708 mijë euro.

E themeluar vetëm pak vite me parë, “AlbaScan” është shndërruar rrufeshëm në një “përbindësh” të fondeve publike.

“AlbaScan”, u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi.

Të dy këta aksionerë zotëronin nga 50 për qind të aksioneve.

Gjatë kohës që ishte në pronësinë e tyre, kompania mbeti një biznes i vogël me xhiro të papërfillshme.

Ngjitja e saj erdhi në vitin 2019.

Por në janar të vitit 2019, kompania u ble nga Elton dhe Elision Jorgjis, për vetëm 150 mijë lekë.

Menjëherë sapo u ble nga dy pronarët e rinj, xhiro e kompanisë kërceu në 110 milionë lekë nga 19 milionë që kishte qenë në vitin 2018.

Kompania “AlbaScan”, në dy lotet tenderuese të hapura nga SPAK, konkuroi përballë kompanive të tjera private “Alcomm Solutions” dhe “AESS” & “S2 Secure Albania”, të cilat u skualifikuan nga Komisioni i Ofertave pranë SPAK, me argumentin se ofertat e ulëta të paraqitura prej tyre, nuk përmbushnin kapacitetin ekonomik të kërkuar nga institucioni.

Tashmë “AlbaScan”, do japi asistencën e saj dhe në SPAK, ku pritet të implementojë teknologjinë elektronike për sigurimin e godinës.

Vetëm për Lotin e Parë, kjo kompani ka dhënë ofertën ekonomike prej 200 milion lekë të vjetra, për instalimin në SPAK të një paisje skanimi për bagazhe, një pajisje skaner për zarfet e postës si dhe 1 urë kontrolli.

Kurse për Lotin e Dytë, “AlbaScan”, është shpallur fituese për ofertën ekonomike prej 449 milion lekë të vjetra, në këmbim për vendosjen e një paisje skaner për skanimin e poshtëm të automjeteve që hyjnë dhe parkohen në ambjentet e brendshme të SPAK, si dhe instalimin e një paisje automatike të quajtur “Bollard”.

Njësia e skanimit duhet të jetë e dizenjuar, për të dhënë rezultate maksimale në skanimin e poshtëm të automjeteve.

Sipas vetë dokumentave të SPAK, qëllimi i blerjes së sistemit automatik me siguri të lartë “Bollard”, është të ndalojë automjetet nga hyrja e paautorizuar në zona të sigurisë dhe të ruajë nivelin më të lartë të mbrojtjes ndaj antiterrorizmit.

SPAK, tashmë do blejë nga “AlbaScan” dy copë sisteme të tilla me tre pistona çeliku, të cilat do vendosen në hyrjen dhe daljen e tunelit të godinës së SPAK dhe hyrjen dhe daljen në oborin e SPAK.

Ndërsa dy sisteme, do blihen për skanimin e poshtëm të automjeteve që hyjnë dhe dalin në SPAK.

Kurse pak ditë më parë mësohet se SPAK, ka mbyllur dhe procedurën tenderuese prej 4 miliard lekë, që do shkojë për mobilimin dhe ndërtimin e godinës së re të SPAK, ndërtimin e një tuneli ajror dhe ndërtimi i disa shkallëve të brendshme brenda objektit ekzistues të dhuruar nga Bashkia e Tiranës.


Shtuar 10.11.2024 15:59