“Katastrofë!” Mediat polake me superlativa për kombëtaren shqiptare dhe kritikojnë të tyren

“Katastrofë”. Kështu shkruajnë mediat polake pas humbjes së tyre mbrëmjen e së dielës në “Air Albania” të Tiranës. Trajneri Fernando Santos është vënë në qendër të kritikave teksa Polonia numëron 6 pikë në 5 ndeshjet kualifikuese të Euro 2024.

“Rreth 22 mijë persona u shfaqën në stadiumin “Air Albania”. Panë dy gola dhe fatkeqësisht, të dyja u shënuan nga mikpritësit. Në të 37-ën minutë Jasir Asani nga klubi korean Gwangju FC shënoi dhe në 62-ën minutë Mirlind Daku që luan me Rubin Kazan, dyfishoi rezultatin”, shkruan Przeglad Sportoëy Onet.

Të lidhura

None found

Ndoshta për polakët ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe pas golit të Kiwior, por që u anulua për pozicion jashtë loje.

Kjo humbje bën që të lëkundet toka poshtë këmbëve të Santos, me mediat që thonë se ai mund të japë dorëheqjen 8 muaj pasi mori në dorë drejtimin e skuadrës.

Presioni ka filluar të ndihet nga vetë trajneri i cili nuk e shmangu irritimin në intervistat me mediat polake. Santos u pyet për të ardhmen si trajner i kombëtares polake dhe kjo pyetje e bëri shumë nervoz.

E kam shpjeguar tashmë. Çfarë është e pakuptueshme në këtë deklaratë? Në fakt, çdo gjë është  në dorën e federatës të cilët mund të duan të flasin me mua, por ky nuk është momenti i duhur. Jam në dispozicion të plotë të federatës”, tha ai.



E të tjera media kanë filluar të bëjnë të tjera llogari.

“Ka shumë zëra që thonë se Santos i ka ditët e numëruara”, shkruan Meczyki.

Por polakja ndalet tek paratë që mund t’i shkojnë trajnerit portugez nëse atë e shkarkojnë dhe bëhet fjalë për një humbje deri në 300 mijë Euro.

Por jo vetëm mediat polake. Edhe ato spanjolle i kanë bërë jehonë rezultatit të djeshëm në Tiranë. Shkak është bërë edhe Lewandowski që luan për Barcelonën.

“Robert Lewandowski bie dhe skuadra e Sylvinho-s komplikon situatën e kombëtares polake. Skuadra e Fernando Santos ka vetëm dy fitore në pesë ndeshje. Lewandowski ishte një ‘ishull i vetmuar’ në linjën e sulmit të Polonisë”, shkroi “Mundo Deportive”.

“Tre ditë më parë Polonia ishte pranë humbjes kundër Ishujve Faroe, por 17 minuta përpara fundit Lewandowski u shfaq dhe shpëtoi ekipin nga një katastrofë. Këtë herë nuk ndodhi dhe polakët kanë një detyrë të vështirë përpara nëse duan të jenë në kampionatin e ardhshëm europian”, shkruan “Marca”.

Ndërsa Sport ka theksuar: Shqipëria edhe një herë konfirmoi rritjen dhe evoluimin e saj, duke marrë një fitore vendimtare ndaj Polonisë.

Pas fitores 2-0 ndaj Polonisë, Shqipëria tashmë është “koka” e grupit E me 10 pikë. Pas kuqezinjve qëndrojnë çekët me 8 pikë, por me një ndeshje më pak.

Në vendin e tretë ka habitur Moldavia që ka grumbulluar po ashtu 8 pikë. Polonia qëndron e katërta me 6 pikë, ndërsa Ishujt Faroe me 1 pikë është e fundit e grupit.


Shtuar 11.09.2023 10:55