Kryeministri Edi Rama, në podcastin e fundjavës, iu rikthye edhe njëherë çështjes së karikimit të mjeteve elektrike, tashmë që së fundmi u prezantua dhe projekti më i ri “OSHEE Charge”.
Kreu i qeverisë sqaroi se shërbimi i karikimit të makinave elektrike, do të ofrohet me të njëjtin çmim kur do të bëhet në parkingun pranë banesës, teksa në pikat që do të ndërtohen nga OSHEE do të ketë një çmim të rregulluar.
“Këtë javë u prezantua edhe projekti më i ri kombëtar për karikimin e mjeteve elektrike, një hap i madh drejt të ardhmes, një shërbim i ri publik i kompanisë sonë të shpërndarjes OSHEE dhe një hap tjetër drejt bashkëpunimit me qytetarët shqiptarë për të rritur cilësinë dhe për të rritur shpejtësinë përmes së cilës Shqipëria shkon drejt objektivit madhor të sovranitetit energjetik, pa rënduar mbi qytetarët, po përkundrazi, duke iu gjendur pranë si partner në këtë rrugë të përbashkët.
Kjo do të thotë konkretisht që shërbimi i karikimit të makinave elektrike nga OSHEE-ja, “OSHEE Charge” do të ofrohet me të njëjtin çmim që ofrohet energjia elektrike për konsumatorët familjarë në të gjitha rastet kur do të bëhet në parkingun pranë banesës, ndërkohë që ai do të ofrohet me një çmim të rregulluar dhe të arsyeshëm në pikat që OSHEE-ja do të ndërtojë dhe do të bëjë të aksesueshme për publikun”, tha Rama.
