Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe çfarë ndodh më pas, ishte ajo që u diskutua në studion e “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo.
Për të folur mbi ngjarjen e ditëve të fundit, pas deklaratës së kryeministrit Rama për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin ishin analisti Mentor Nazarko, ish-Ministri i Jashtëm, Paskal Milo, eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës Ervin Karamuço si dhe ish kreu i SHISH, Fatos Klosi.
Ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Milo dhe eksperti i sigurisë Karamuço sollën në vëmendje një ngjarje mjaft interesante të ndodhur në vitin 1999-të gjatë luftës në Kosovë.
Ata thanë se në aeroportin e Rinasit kishin ardhur avionë me ushqime dhe veshmbathje nga Irani, të cilat iu ofruan si ndihmë Shqipërisë për tu dërguar në Kosovë, por që u refuzuan.
Milo tha se në atë kohë partnerët amerikanë kanë thërritur zyrtarët shqiptarë dhe ju kanë kërkuar që të refuzojnë çdo lloj ndihme nga ana e Iranit.
Pjesë nga biseda:
Karamuço: Unë bie dakord me të gjithë. Ata nuk kanë patur qëllime dashamirëse ndaj Shqipërisë kanë qenë qëllime të ekspansionit fetar. Varfëria ishte elementi i Eldorados së tyre. Ata hynë fillimisht me ndihma me shkolla, mos harrojmë që kemi shqiptarë që kanë mbaruar shkollën në Iran. Ne kemi një ngritje diku në vitin 1998-të kur është bërë një diskutim me agjencitë amerikane, aty është thënë diçka që Amerika vuri kusht mos merrni financime për luftën në Kosovë nga vendet e lindjes së mesme.
Milo: Unë dhe Fatosi në kohën e konfliktit në Kosovë kemi bashkëpunuar shumë për këtë çështje. Kur filloi konflikti në Kosovë, në aeroportin e Rinasit kanë ardhur aeroplanë Iranianë, dhe ne si qeveri ishim në dilemë çfarë të bëjmë. Nga Irani na vinin premtime që vetëm kërkoni se ne jemi gati tu plotësojmë të gjitha nevojat që do të keni. Mirëpo në ato momente patjetër që partnerët tanë amerikanë që ishin këtu ishin prezentë na thirrën dhe na këshilluan që në asnjë mënyrë nuk duhet të pranoni ndihma nga Irani duhet t’i refuzoni në mënyrë kategorike. Ne i refuzuam zyrtarisht. Në atë kohë Ministri iranian më çoi disa herë ftesën, por ne pikërisht për shkak të këtij qëndrimi që mbajtëm refuzuam edhe ftesën për të shkuar në Iran.