Kapja e 2.3 tonëve kokainë, arrestohet në Spanjë bosi shqiptar, drejtuesi i “Kartelit Ballkanik” (VIDEO)

Policia spanjolle ka arrestuar bosin shqiptar, i cili mendohet se është koka e celulës “Karteli Ballkanik”.

Mediat iberike raportojnë se shqipttari është përgjegjësi i 2.3 tonëve kokainë të kapura pak ditë më parë në anijen e peshkimit “Bestarruza” ku u arrestuan 4 anëtarë të ekuipazhit, mes të cilëve 2 shqiptarë, dy të tjerët janë një argjentinas dhe një afrikan nga Cabo Verde.

Operacioni i DEA Amerikane në bashkëpunim me strukturat e autoriteteve policore spanjolle, sipas mediave, i dhanë një goditje të fortë kësaj celule të vendosur në Galicia, në pritje të ngarkesave me kokainë. Veç drogës së sekuestruar në anije, kontrollet në A Coruna zbuluan 200 mijë euro cash dhe një automjet tip “Maserati” në pronësi të kreut të grupit. Shqiptari është arritur të kapet në një hotel, teksa ishte nisur drejt Madridit sapo kishte marrë vesh kapjen e ngarkesës së kokainës.

Në deklaratën e tij, kapiteni i anijes së peshkimit, me banim në A Coruña, i tha Policisë se “Karteli Ballkanik” po e mbante peng gruan e tij deri në përfundimin me sukses të operacionit. Agjentët, megjithëse nuk i dhanë besueshmëri asaj dëshmie, hynë në shtëpi me oficerë të specializuar. U konfirmua se asgjë nga këto nuk ishte e vërtetë, pasi gruaja u shfaq pak më pas e shoqëruar nga një e mitur me dëshirën e saj.


Shtuar 17.09.2023 17:16