Kapet “ferma” me 567 bimë kanabisi në Velipojë, prangoset kujdestari!

Policia e Shkodrës ka kapur një parcelë kanabisi në fshatin Ças.

Blutë bëjnë me dije se bëhet fjalë për 567 bimë kanabisi, të cilat janë një numër i konsiderueshëm për një parcelë në vendin tonë.

Gjithashtu bëhet me dije se në pranga ka rënë edhe një person që kujdesej për bimët.

Dyshohet se 34-vjeçari i kapur në vendin kur ndodhej parcela të jetë kujdestari i bimëve, ndërsa është shpallur në kërkim një 39-vjeçar, që dyshohet se është personi që ka bërë investimin.

“Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, si dhe janë sekuestruar 567 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në vijim të kontrolleve në territor, për të evidentuar dhe goditur rastet e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë dhe përdorimit të dronit, kanë evidentuar një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Ças, Velipojë.

Në kuadër të operacionit “Ças” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. P., 34 vjeç, banues në fshatin Ças, Velipojë, Shkodër, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit N. Ç., 39 vjeç, banues në fshatin Torovicë, Lezhë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në tokën në pronësi të shtetasit E. P., në fshatin Ças, kanë gjetur 567 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka kultivuar, në bashkëpunim me shtetasin N. Ç”, njofton policia./albeu.com/


Shtuar 16.05.2022 12:16