Kamioni përplas turmën e qytetarëve, tre të vdekur dhe disa të plagosur në Roterdam

Një ngjarje rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Holandë, ku tre persona kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë u plagosën në një fshat pranë Roterdamit, kur një kamion doli nga rruga dhe u përplas me një grup njerëzish që po bënin një Barbekju në natyrë.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme kur kamioni, me targa spanjolle, doli nga rruga në në Zwingjincedik, rreth 30 km në jug të Roterdamit.

“Kamioni u përplas me një turmë njerëzish që merrnin pjesë në një Barbecue të organizuar në lagjen e tyre”, tha policia e Roterdamit në një postim në llogarinë e tyre në Twitter.

Një oficer policie që ishte i pranishëm tha për radion lokale Rijnmond se “të paktën dy persona kanë vdekur”. Fotot e marra pas aksidentit lejuan të identifikohej se kamioni i përket kompanisë El Mosca, me seli në Spanjë.

Shoferi i kamionit, i cili nuk mbeti i lënduar, u vu në pranga dhe pritet hetimi i plotë i këtij aksidenti të rëndë, megjithatë, autoritetet holandeze sqaruan se nuk bëhet fjalë për një akt terrorist, por për një incident në të cilin shoferi i kamionit ka humbur kontrollin.


Shtuar 28.08.2022 08:19