Hajzer Duraku ka marrë 5 plumba gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, të cilat, edhe sot i mban në trup.
Hajzeri tregon se në fillim nuk kishte mundësi për t’i hequr ndërsa tani, po t’i heqë do të ketë më shumë probleme.
Djali i tij, Isa Duraku ishte 15 vjeç, kur babai u plagos nga forcat armike. “Babai ka qenë me komandandin, unë isha pas tyre, nuk e pashë, pastaj kur duhet të fshiheshim, i thashë babit ec më shpejt, më tha nuki mundem se më kanë prekur plumbat. U larguam në një fshat tjetër, derisa një dentist ia pastroi plagët. Tani është mirë, kur ndryshon moti, e ndjen më shumë”.
Me humor, Isai tregon rastet kur babai udhëton jashtë shtetit dhe paisja e kontrollit ndez sinjalin, për shkak të metaleve(plumbave), që ka brenda në trup. “Kur kemi shkuar në Zvicër, nuk kalon dot te qendra e kontrollit, derisa i tregon se ka qenë në luftë dhe ka plumba”.
Dikush që ka jetuar mbi 20 vite me plumba në trup, duket e logjikshme që edhe betejën me koronavirusin do ta fitonte. “E ka kaluar Covid 19 dhe as nuk e ka ndjerë”, thotë djali. /tch