Jepte me fajde paratë që depozitoheshin në Exchange, procedohet pronarja 72-vjeçare, sekuestrohen 500 mijë euro (FOTO)

Policia e Tiranës, ka njoftuar se ka nisur procedimin e lirë ndaj një shtetaseje, pronare e një dyqani Exchange, pasi nuk deklaronte shumat e parave të depozituara nga persona të ndryshëm në subjektin e saj, që përdoreshin më pas me fajde.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar rreth 500 000 euro , të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.

 

 

“Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72-vjeçe.

Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën e policisë.