Ditën e djeshme Endrit Dokle, Fatjon Murataj dhe Gentian Reçi janë shoqëruar në polici.
Më pas Dokle dhe Reçi janë lënë të lirë, ndërsa Murataj është ndaluar për shkak të një akuze për të cilën ishte shpallur në kërkim, atë të armëmbajtjes pa leje.
Kujtojmë se Dokle ishte edhe më herët i shoqëruar në polici, lidhur me masakrën e Fushë-Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha, të cilët u qëlluan me breshëri plumbash te mbikalimi i Fushë-Krujës teksa lëviznin me një makinë “Volkswagen Passat”, drejt Laçit.
Por përse u lidhën emrat e tyre me masakrën e Fushë-Krujës?
Policia bëri njoftim për ndalim në kufi dhe kërkonte pyetjen e Murataj, të Indrit Dokles dhe kunatit të këtij të fundit, Gentian Reçi, nën dyshimet se mund të kishin dijeni për ngjarjen, përderisa ishin në konflikt të ashpër me Ervis Martinaj.
Dokle dha shpjegime në lidhje me ngjarjen afro 3 javë më parë në policinë e Durrësit, ndërsa Murataj me gjasë do të pyetet tashmë që është vënë në pranga.
Dokle në dëshminë e tij mohoi lidhjen me ngjarjen duke ofruar dhe një alibi. Ai tha se mund të vinte në dispozicion dhe kamerat e vendit ku kishte qenë në kohën kur ndodhi vrasja e trefishtë në Fushë-Krujë.
“S’kam lidhje me ngjarjen, nuk kam asnjë konflikt me ta. Jam ndodhur më një ambient me kamera sigurie kur ka ndodhur ngjarja dhe mund tua vë në dispozicion”, mësohet të ketë thënë Dokle.
Kujtojmë se Indrit Dokle rifitoi lirinë me kusht nga gjykata e Krujës afro 2 vite me parë, ndonëse ishte dënuar më burg përjetë.
Ishin dëshmitë e Nuredin Dumanit, që e rikthyen Edrit Doklen në vëmendjen e publikut, pas dëshmive të tij se Ervis Martinaj kishte vënë në dispozicion një shumë prej 500 mijë eurosh për vrasjen e ish-kreut të bandës së Durrësit.