Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit, Vali Corleone.
Sipas raportit të dalur nga kjo Gjykatë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, me datë 14.04.2021, rreth orës 16:00 minuta në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur armë automatike të llojit “Scorpion”, me (5) pesë karikatorë dhe njëqindetetëmbëdhjetë (118) fishekë të kalibrit 1.65 mm. Po ashtu në të njëjtën ditë i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e Policisë së Kosovës në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë janë gjetur (8) tetë qese substancë narkotike e llojit “kokainë”, në peshë prej 2.9 gram.
Brenda kësaj komunikate poashtu thuhet se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe “posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.