“Ishte shoqja ime”, Alec Baldwin flet për herë të parë publikisht pas vrasjes së kineastes

Alec Baldwin ka folur në publik për herë të parë që kur vrau aksidentalisht kineasten Halyna Hutchins në xhirimet e një filmi, duke thënë se ajo ishte shoqja e tij.

Duke folur për gazetarët, aktori tha se do të ishte në favor të kufizimit të përdorimit të armëve të zjarrit në të ardhmen në prodhimet filmike për të mbrojtur sigurinë e njerëzve.

Ai shtoi se policia e kishte urdhëruar që të mos diskutonte hetimet në vazhdim. Prokurorët thonë se nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale për rastin.

Hutchins, 42 vjeçe, u qëllua në xhirimet e filmit “Rust” në shtetin amerikan të New Mexico, kur Baldwin qëlloi pa e ditur me një armë të mbushur me një plumb të vërtetë. Regjisori i filmit, Joel Souza, u plagos në shpatull.

“Ajo ishte shoqja ime. Ditën që mbërrita në Santa Fe dhe fillova të xhiroja, e çova në darkë me Joelin,” u tha Baldwin gazetarëteve që e kishin ndjekur atë dhe familjen e tij në shtetin e Vermontit.

“Ne ishim një ekip shumë, shumë i mirë, duke xhiruar një film së bashku dhe më pas ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme,” ka shtuar ai.

Video e shkëmbimit u publikua nga faqja e internetit TMZ. Baldwin tha se incidenti ishte një “një në trilion ” dhe se aksidente të kësaj natyre ndodhin shumë rrallë.

“Një përpjekje e vazhdueshme për të kufizuar përdorimin e armëve të zjarrit në sete filmike është diçka për të cilën jam jashtëzakonisht i interesuar”, shtoi ai.


Shtuar 31.10.2021 09:55