Kuvendi ka dhënë miratimin për Ligjin që rregullon përdorimin e trotinetëve elektrikë, duke vendosur kushte më të forta për lëvizjen e tyre dhe masa që synojnë shtimin e sigurisë në komunikacion. Sipas dispozitave të reja, këto mjete do të lejohen të përdoren vetëm nga persona mbi 18 vjeç.
Të lidhura
None found
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu kufizime në qarkullim dhe përcaktime të qarta për mënyrën se si duhet të përdoren trotinetët elektrikë, me synimin për të reduktuar aksidentet në trafik. Ligji i ri vjen në një kohë kur këto mjete janë bërë gjithnjë e më të pranishme në komunikacionin urban.
Për shkelësit parashikohen ndëshkime më të rënda, ku përfshihen tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit dhe bartja e personave të tjerë në trotinet. Krahas gjobave, për shkeljet më të rënda është paraparë edhe konfiskimi i përkohshëm i mjetit deri në 30 ditë.
Autoritetet nënvizojnë se këto ndryshime kanë për qëllim rritjen e sigurisë rrugore, pasi të dhënat statistikore tregojnë një rritje të numrit të aksidenteve ku janë përfshirë trotinetët dhe mjetet e ngjashme, mes tyre edhe raste me lëndime të rënda dhe pasoja fatale. Me këtë ligj synohet një ulje e aksidenteve dhe një rregullim më i qartë i përdorimit të këtyre mjeteve.

