Ish-konkurrenti bën deklaratën e fortë, thotë se Big Bastës i është premtuar çmimi i madh në Ferma VIP 2

Pas eliminimit nga Ferma VIP 2, këngëtari i njohur Frederik Ndoci ka ndarë opinionin e tij të sinqertë mbi rrjedhën e lojës dhe pretendentët për fitoren e këtij edicioni.

I ftuar në një intervistë pas daljes, Ndoci u shpreh pa doreza kur iu drejtua pyetja nga moderatorja Aulona Musta: “Kush është për ty fituesi?”.

Artisti e nisi përgjigjen me diplomaci, duke thënë: “Të gjithë janë të mirë, kush dëshiron le ta fitojë. Më dëshiru tjetër e kush e merr tjetër”.

Megjithatë, ai nuk hezitoi të theksonte se sipas tij, Big Basta është më i favorizuari për të dalë fitues, duke lënë të kuptohet se ka pasur përfitime brenda fermës që nuk u janë dhënë të gjithëve.

“Unë kam arsye me thënë që do ta marrë Big Basta. Ka të gjitha premisat. Ka qenë shumë më i privilegjuar se ne të tjerët aty. Ai ka qenë për me dalë qysh në javën e tretë për nga aftësia”.

Megjithatë, preferencat personale të Ndocit për fitues janë të tjera.

Ai përmendi me respekt dhe vlerësim dy emra që, sipas tij, e kanë mbajtur gjallë garën përmes një loje të fortë dhe të vazhdueshme: Andueli dhe Andrea.

“Unë do të doja Andueli ose Andrea, sepse patën lojë gjatë gjithë kohës”, theksoi këngëtari.

Deklaratat e Ndocit vijnë në një fazë kyçe të Ferma VIP 2, kur loja është bërë më e ashpër dhe publiku është më i përfshirë në vendimmarrje. Fjalët e tij pritet të nxisin diskutime mes ndjekësve të emisionit, sidomos për pozicionin e Big Bastës në garë dhe mënyrën si është trajtuar brenda fermës.


Shtuar 19.06.2025 19:33