INSTAT: Afro 60% e eksporteve, drejt vendeve të BE-së

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së, për tremujorin e parë të këtij viti zunë 58,1 % të gjithë tregtisë. Referuar raportit të INSTAT, në periudhën janar – mars 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,4 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,1 % të importeve gjithsej.

Në këtë tremujor, eksportet e mallrave arritën vlerën 100 miliardë lekë, duke u rritur me 4,7 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 202 miliardë lekë, duke u ulur me 3,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 102 miliardë lekë, duke u ulur me 10,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27,7 %), Kina (8,6 %) dhe Greqia (7,9 %).

Mallrat kryesore që eksporton Shqipëria drejt BE-së, janë tekstile dhe veshje (sidomos fasoneri në Itali dhe Gjermani), minerale dhe metale (krom, hekur-nikel), dhe produkte bujqësore (fruta, perime).

Mallrat kryesore që Shqipëria importon nga BE-ja janë makineri dhe pajisje industrial, produkte ushqimore të përpunuara, automjete dhe pjesë këmbimi, produkte farmaceutike dhe teknologji.

Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (79 %), Greqia (8,6 %) dhe Germania (5,5 %). Ndërsa vendet me te cilat ka pasur uljen me te madhe jane: Italia (13,9 %) , Maqedonia e Veriut (23,7 %) etj.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Itali (0,3 %), Turqia (26,9 %), Gjermania (9,4 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (29 %), Greqia (6,4 %) dhe Spanja (8,8 %).

BE është gjithashtu, investitori më i madh në Shqipëri, përmes granteve, projekteve zhvillimore dhe kompanive private.


Shtuar 20.04.2025 09:21