Çmimet kanë vijuar rritjen edhe gjatë muajit qershor, duke përkeqësuar më tej financat e familjeve shqiptare që për të blerë të njëjtën sasi produktesh duhet të shpenzojnë më shumë, ndërkohë që të ardhurat e tyre kanë mbetur pothuajse në vend. Ushqimet, për të cilat familjet shpenzojnë 42% të buxhetit, pesha më e larti në Europë, dhe karburantet kanë shënuar shtrenjtimin më të fortë.
INSTAT njoftoi se Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4% në qershor, nga 6.7% që ishte në maj dhe shumë më i lartë se janari i këtij viti, kur trgeuesi ishte 3.7%, duke shënuar një tjetër rekord të ri të 20 viteve të fundit, që nga marsi i vitit 2002, kur treguesi arriti në 7.4% dhe po arrin nivelin më të lartë që nga koha e piramidave në 1997-s, kur ishte mbi 40%.
Ndërsa në qershor të një viti më parë, inflacioni ishte vetëm 1.6%.
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,38 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,53 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,54 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor”me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,01 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 26,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0 %, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,6 % secili dhe “Shëndeti” me 0,3 %. Nga ana tjetër, grupi “Argëtim dhe kulturë” u ul me 0,9 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 30,3 %, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithra” me 19,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,5 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 14,3 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 10,3 %, “mish” me 9,0 %, “peshk” 8,6 %, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2022, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,4 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 0,2 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 4,5 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %.
Banka e Shqipërisë rriti normën bazë për të dytën herë për të frenuar rritjen e çmimeve
Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë për herë të dytë brenda pak muajsh normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.
Norma bazë është rritur me 0.25 pikë përqindje në 1.25%. Ky është vendimi i dytë pas marsit, ku norma bazë u rrit nga 0.5 në 1%. Në mars u shënua dhe kthesa e parë e politikës monetare nga kahu lehtësues, – tendencë që kishte nisur që nga marsi i vitit 2011- , në atë shtrëngues.
Objektivi kryesor i bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Instrumenti kryesor që ka banka për të realizuar këtë objektiv është norma bazë, përmes rritjes së të cilës institucioni monetar qendror përpiqet të ngadalësojë huamarrjen dhe si rrjedhojë konsumin si dhe të nxisë kursimet drejt bankave përmes normave më të larta të interesit të depozitave. Këto duhet, të paktën teorikisht, të ulin presionet inflacioniste në një ekonomi.
Guvernatori tha në deklaratën për shtyp pas vendimit, se informacioni i ri i marrë në analizë vijon të ilustrojë ndikimin që konflikti ushtarak në Ukrainë ka mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Rritja e çmimeve të produkteve, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, kanë sjellë një rritje të fortë të inflacionit dhe kanë filluar të frenojnë ritmet e rritjes ekonomike.
Rifreskimi i analizës dhe përditësimi i projeksioneve të Bankës së Shqipërisë sugjeron se inflacioni në vend do të vijojë të mbetet i lartë gjatë vitit 2022. “Ky inflacion pasqyron – në masën më të madhe – efektet direkte të goditjes së ofertës që vjen nga tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, pasojat e kësaj goditjeje rrezikojnë të forcohen dhe të zgjaten në kohë, si pasojë e kërkesës relativisht solide për mallra e shërbime në vend” tha Sejko.
Ai njoftoi se, në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se rritja e inflacionit është rreziku kryesor që kërcënon rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit në horizontin afatmesëm dhe sinjalizon vullnetin tonë për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve./Monitor