Në vitet e fundit është vënë re ulja e moshës së pacientëve që kalojnë infarkt. Kardiologu Leonard Simoni thotë se ka pasur edhe pacientë 30 apo 35 vjeç.
Sëmundjet e zemrës sipas tij gjithmonë e më shumë përkeqësohen nga temperaturat e larta.
“Ne kemi parë infarkte edhe në mosha të reja dhe mosha e infarktit ka rënë, krahasuar me vitet e kaluara. Pra kemi parë infarkte edhe në moshat, 30 apo 35 vjeç.”
Stili i jetesës është një nga faktorët kryesor të shfaqjes së këtyre sëmundjeve. Mjeku Simoni radhit edhe problemet me kolesterolin dhe diabetin si shkaktar të rëndësishëm të këtyre shqetësimeve.
“Ushqimet e thata me shumë yndyrë, nga njëra anë dhe me pak perime apo fruta sidomos gjatë verës, marrja e shtuar e dhjamërave, gjalpit ndikon në shfaqjen e hershme të sëmundjes ishemike. ”
Shenja që tregon se mund të jesh i rrezikuar nga sëmundjet e zemrës është dhimbja e gjoksit.
“Çdo njeri që ka dhimbje gjoksi, ose i shfaqet sforcim në ecje, apo në lëvizje duhet të drejtohet te mjeku.”
Mjeku kardiolog këshillon konsumimin e një diete të mirë dhe kryerjen aktiviteteve fizike.
“Një stil jetese i shëndetshëm përfshin aktivitetin fizik deri në 30, 45 minuta në ditë. Rekomandojmë dietën mesdhetare,”- tha mjeku për RTV Ora.
Sëmundjet më të shpeshta të zemrës gjatë verës dhe temperaturave të larta janë ato ishemike dhe insensa kardiake.