Industria përpunuese, në mbijetesë, Shkodra: Qeveria të nxisë industrializimin e vendit

Nëse do të kishim një industri më të zhvilluar, vendi do ta kishte pasur më të lehtë që të përballej me krizën globale të çmimeve dhe lëndëve të para.

Por, Shqipëria vijon të ketë strukturë të paqëndrueshme ekonomike, me varësi të lartë nga bujqësia dhe ndërtimet (kjo e fundit zë një peshë të konsiderueshme në industrinë e vendit, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, që janë më të orientuara te prodhimi).

Prodhimi i lartë bujqësor nuk është shfrytëzuar për të nxitur industrinë prodhuese vendase, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet me peshë më të ulët të industrisë në Europë. Shqipëria i ka përqendruar kapitalet e lira në sektorin e ndërtimit, i cili ka peshën më të lartë në Europë, në raport me vlerën e shtuar bruto të ekonomisë.

Kjo strukturë e ekonomisë reflektohet dhe në renditjen e kompanive më të mëdha, sipas fitimeve, ku sipërmarrjet nga kjo fushë janë me pikatore.

Nuk ka asgjë për t’u habitur që sipërmarrësit vendas nuk shfaqin ndonjë interes për të investuar në industrinë përpunuese. Ky sektor është ndër më pak fitimprurësit në vend. Në listën e 200 më të mëdhenjve ka vetëm 6 subjekte nga industria përpunuese.

Ndryshe nga viti 2020, kur shumë kompani përpunuese arritën të ruajnë norma të qëndrueshme fitimi, pavarësisht krizës, në vitin 2021, rritja e kostove nga ndërprerjet që shkaktoi pandemia në zinxhirin e furnizimit, ka bërë që fitimet për shumë prej tyre të ulen.

“Coca Cola” është kompania më e madhe në industrinë përpunuese në vend, me aktivitet të qëndrueshëm. Në vitin 2021, fitimet e kompanisë u rritën me 21% në 824 milionë lekë, duke tejkaluar dhe nivelet e 2019-s. Norma e fitimit ishte e qëndrueshme në rreth 19%.

Por, kompania po përballet me rritjen e kostove. Presidenti i kompanisë më të madhe të pijeve freskuese, “Coca-Cola Bottling Shqipëri”, CCBS, Luca Busi, tha për “Monitor” se rritja e kostove të prodhimit shënon shifra rekord në 18% krahasuar me një vit më parë.

“Numra vërtet të rëndësishëm, që e vendosin të gjithë sistemin në krizë. Mund të konfirmojmë një situatë vërtet alarmante. Fatkeqësisht, ky moment po sheh rritje të vazhdueshme të kostove, në të gjitha fushat: spekulimet në lidhje me pandeminë dhe luftën kanë arritur nivele me të vërtetë shqetësuese”.

“E.H.W”, një prej kompanive më të mëdha përpunuese në vend, që i raporton të dhënat prej disa vitesh si grup (përfshirë aktivitetin e përpunimit të mishit dhe prodhimit të ujit), raportoi fitime prej 1 miliard lekësh në 2021, me rritje 38% me bazë vjetore dhe normë 16.5%.

Industria më fitimprurëse në vend është ajo e ambalazhimit të ujit, që e ka të lehtë të mbyllë ciklin. “Uji i Ftohtë Tepelenë” dhe “Qafshtama”, renditen në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve, 2021, me norma kthimi përkatësisht 18 dhe 33%.

“Coral”, që vepron në regjimin e përpunimit aktiv, përpunim peshku, raportoi fitime prej 371 milionë lekësh, me një normë prej 11%.

Krahas tyre, në listën e 200 më të mëdhenjve sipas fitimeve është dhe “Birra Korça”, që dyfishoi fitimet në 177 milionë lekë, me një normë prej gati 20%.

“Lajthiza Invest” ka dalë nga renditja e këtij viti, pas rënies së fitimeve me 23%, në 118 milionë lekë (normë 5.5%). Shtimi i kostove të personelit dhe shpenzimeve ka ndikuar në rënien e fitimeve, ndonëse të ardhurat u zgjeruan.

“Albsteel & Papmetal” grupi më i madh në rajon në prodhimin e profileve tubolare prej llamarine çeliku të prodhuar në të ftohtë, të ngrohtë & të galvanizuar, raportoi të ardhura prej 2.6 miliardë lekësh, ndërsa fitimet u dyfishuan në rreth 360 milionë lekë.

Fitimet e eksportuesve bien ndjeshëm nga zhvlerësimi i euros

Sipërmarrjet e tekstileve dhe këpucëve janë eksportuesit më të mëdhenj në vend (me rreth 30% të totalit) dhe një ndër punëdhënësit kryesorë që operojnë me norma të ulëta fitimi.

Në 2020-n, ata ishin ndër më të goditurit nga rënia e kërkesës. Edhe në vitin 2021, eksportet e tekstileve dhe këpucëve, pavarësisht rritjes, mbeten nën nivelin e para krizës.

Krahas rritjes së kostove, eksportuesit po përballen me zhvlerësimin e euros, që ul të ardhurat e tyre në momentin që konvertohen në lekë.

“Albaco Shoes”, eksportuesi më i madh në vend në industrinë fason, ka rritur lehtë të ardhurat me 2.1%, në 2.1 miliardë lekë. Fitimet e kompanisë ranë me 35%, në 106 milionë lekë, me një normë prej vetëm 5%.

“Fital” ka raportuar rritje të ardhurash me vetëm 1% në 1.7 miliardë lekë. Fitimet ranë ndjeshëm me 58%, në vetëm 62 milionë lekë, me një normë minimale prej 3.6%.

Sipas raportit të aktivitetit, efekte negative në treguesit e vitit 2021 ka dhënë kursi i këmbimit të Euros, e cila në fillim të vitit 2020 ka qenë 123.70 lekë/euro, ndërsa në fund të vitit 2021 ka qenë 120.76 lekë/euro. Kompania FITAL SH.P.K është një ndër eksportuesit kryesorë në tregun shqiptar, me afro 1.7 miliardë lekë eksporte për vitin 2021. Për vitin 2021 ka një numër mesatar prej 1,025 punonjësish.

Në vitin 2021, eksportet e veshjeve të këmbëve u rritën me 13.6%, pas rënies me 20% me bazë vjetore në 2020-n, por sërish nuk i arritën nivelet e parakrizës. Sektori vijon të ketë varësi të lartë nga Italia, drejt së cilës shkuan 86% e shitjeve totale të këtij grupi.

Industritë e tjera, me rënie të ndjeshme fitimesh

Industria e përpunimit të miellit ka përkeqësuar ndjeshëm treguesit e përfitueshmërisë në vitin 2021, duke reflektuar shtrenjtimin e kostove.

“Miell Tirana”, raportoi fitime prej vetëm 3.4 milionë lekësh, me një normë minimale 0.2%, nga 3% vitin e mëparshëm. Efekti është dhënë nga rritja e fortë e zërit “Lënda e parë dhe materiale të konsumueshme”.

“Atlas Millis” raportoi rënie të lehtë të fitimeve, në 84 milionë lekë, me një normë prej rreth 6%.

Industria e qumështit, në rrezik

Sektori i përpunimit të qumështit raporton kthime prej mesatarisht 6-8%.

ADG (ish-“Lufra”) shënoi rënie të lehtë të normës së fitimit nga 6.4%, në 6.1%, si rrjedhojë e rënies së të ardhurave dhe shtimit të shpenzimeve.

“Erzeni” nuk ka dorëzuar ende bilanc për vitin 2021.

Industria përpunuese e qumështit po përballet me një situatë vërtet të vështirë në vitin 2022, nga rritja e ndjeshme e kostove, shtrenjtimi i energjisë dhe reduktimi i numrit të bagëtive në vend, që ka ulur sasinë e lëndës së parë. Çmimet e pakicës së produkteve të qumështit janë rritur vazhdimisht.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit ka pohuar se fabrikat po furnizohen nga fermeri me qumësht, me çmim gati dy herë më të lartë se më parë.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Donjaldo Hoxha, pohon se përveç shtrenjtimit të lartë të çmimeve, fabrikat po hasin vështirësi në gjetjen e qumështit të freskët, për shkak të rënies së lartë të prodhimit.

Sipas tij, nëse nuk do të merren masa dhe të bëhen ndërhyrje në ndihmë të blegtorisë, prodhimi vendas shumë shpejt nuk do të mbulojë nevojat e përpunuesve.

Hoxha thekson se arsyet kryesore të kësaj situate janë rënia e numrit të krerëve, rritja e tejskajshme e kostove të fermerëve për të prodhuar një litër qumësht dhe informaliteti në rritje, që po e vështirëson çdo ditë e më shumë sektorin e përpunimit.

“Situata në sektorin tonë të përpunimit të qumështit është duke u vështirësuar nga dita në ditë. Kostot janë rritur në të gjitha drejtimet.

Konkretisht, lënda e parë e qumështit blihet më shtrenjtë, energjia elektrike kushton më shtrenjtë, çmimi i gazit është rritur dhe do të kushtojë edhe më shtrenjtë, pas vendosjes së akcizës nga data 1 korrik, çmimi i naftës dhe materialeve paketuese është rritur.

Të gjitha këto kosto të shtuara e kanë vënë sektorin e përpunimit të qumështit në vështirësi shumë të mëdha dhe në një të ardhme të zymtë. Sektori rrezikon të mos jetë konkurrues në treg, veçanërisht me produktet e importit.

Ndërkohë blegtoria vazhdon në rënie dhe numri i krerëve pakësohet përditë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021, në vend, numri i dhive ra 3% krahasuar me 2020-n, numri i deleve ra 5% dhe ai i gjetheve 7% më pak.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit tha se ndërhyrja nga instancat përkatëse është e domosdoshme, por deri tani nuk ka pasur asnjë masë dhe nuk është dhënë asnjë ndihmë.

“Të ndodhur të vetëm, blegtoria dhe përpunimi i qumështit, do të shkojnë drejt një situate të errët dhe një falimenti të sigurt”, tha Hoxha.

Rritja e kostove po çon industrinë në mbijetesë

Përfitueshmëria e sektorit të industrisë përpunuese është përkeqësuar në vitin 2022, duke reflektuar shtrenjtimin e lëndës së parë, energjisë, por edhe problematikat që po hasen nga mungesa e fuqisë punëtore.

“Bizneset ekzistuese janë në mbijetesë, për shkak të rritjes së kostove të inputeve, energjisë, naftës, gazit, aksesit në tregje, kanë probleme thelbësore për sa i përket përpunimit në vend”, thotë Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë. Këtyre u shtohen mungesa e likuiditetit, aftësia e dobët paguese, aksesi në financë.

“Po ndihet stagflacioni europian, teksa porositësit nga Europa kanë ulur volumet dhe si rrjedhojë, edhe kërkesën për partnerët e tyre në Shqipëri.

Ai shton se krahas këtyre problemeve të koniunkturave të tregut, industria po vuan sot për aftësitë e fuqisë punëtore.

Shkodra: Të bësh biznes në industri është sakrificë, qeveria të nxisë industrializimin e vendit

“Të bësh biznes në industri është sakrificë. Sipërmarrësit që kanë fonde të lira duhet të kenë nxitje të madhe, pasi kthimi i investimit është shumë i vonë, jo si sektorë të tjerë si tregtia, turizmi apo ndërtimi”, thotë Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë.

Ai rendit disa arsye se pse vendi nuk ka një industri të zhvilluar dhe as politika industriale:

– Së pari, nuk ka një strategji për industrializimin e vendit. Që të kesh një industri përpunimi të zhvilluar, ti si shtet duhet të kesh një udhërrëfyes se cilët sektorë duhen zhvilluar dhe si.

– Së dyti, nuk ka pasur kurrë mbështetje domethënëse për sa i përket nxitjes së prodhimit.

– Së treti, nuk ka pasur kurrë incentiva fiskale dhe financiare për nxitjen e prodhimit.

– Së katërti, nuk është e zhvilluar pjesa burimore (të lëndëve të para) që do të mundësonte më pas lidhjen e gjithë zinxhirit të përpunimit.

– Së katërti, Shqipëria është një treg i vogël dhe kjo nuk mundëson që kompanitë të kenë ekonomi shkalle, që do t’i bënte ato konkurruese në tregun e brendshëm, por dhe atë të jashtëm.

– Së pesti ka pengesa eksporti për një pjesë të industrisë me origjinë shtazore, që sërish nuk e mundëson zhvillimin e ekonomisë së shkallës. P.sh., shumë produkte nuk kanë gjurmueshmërinë, e cila nuk i bën ato të pranueshme për eksport.

– Së gjashti, aftësitë në punë, gjetja e stafit të kualifikuar po bëhen problem gjithnjë e më i madh, që pengojnë zhvillimin e sektorit.

Cilat janë rrugëzgjidhjet

Ka vetëm një rrugëzgjidhje në afatin e gjatë, sipas Shkodrës. Buxheti i shtetit duhet të fillojë të orientohet ndryshe pas pandemisë dhe të ketë në fokus prodhimin industrial. “Mandati në vijim duhet të përqendrohet te prodhimi”, pohon ai.

Për momentin, shqetësimet e industrisë nuk duket të jenë në fokusin e qeverisë. P.sh., thotë Shkodra, për qeverinë nuk është problem rënia e euros, që po dëmton eksportuesit, përkundrazi duket se u leverdis, pasi rriten importet dhe paguhet më shumë TVSH në doganë, si dhe ulen pagesat e borxhit.

Të fundit në rajon

Shqipëria ishte e fundit në rajon në vitin 2021, për eksportet e mallrave dhe shërbimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), duke u renditur pas Kosovës, që ishte, deri tani, në fund të renditjes. Të gjithë vendet panë rritje të këtij treguesi, duke i tejkaluar nivelet e parapandemisë.

Vetëm Shqipëria mbeti ende poshtë niveleve të 2019-s, duke reflektuar dobësitë e saj në vlerën e ulët të shtuar të mallrave, shërbimeve që tregtohen jashtë vendit.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dy vende që kanë investuar në prodhim, kanë eksporte me vlerë të shtuar të lartë, duke kryesuar rajonin. Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues më të ulëtin në rajon, në 30.6% të PBB-së, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia e kanë përkatësisht 65.9% dhe 54.4% të PBB-së./Monitor