Gjykata e Posaçme, çeli shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës. Gjykata pranoi kërkesën e 8 të pandehurve për zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimi të shkurtuar, përfshi edhe kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Të panderhut ndaj të cilëve u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar: Lefter Koka, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj.
Për të pandehurit Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola çështja u veçua për një gjykim të zakonshëm.
Në seancën e radhës, 7 shkurt, SPAK do lexojë pretencën. 12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme, ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton, për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.