I sollën dëm shtetit 30 milionë lekë, zbulohen detaje nga skema e mashtrimit të zyrtarëve të Bashkisë Korçë

Katër drejtues kryesorë të bashkisë së Korçës u pezulluan nga puna me vendim të gjykatës së shkallës së parë të Korçës.

Bëhet fjalë për Zhaneta Lubonja, drejtore e planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të territorit, Ermal Gjermani përgjegjës i këtij sektori pranë kësaj drejtorie, Olvas Petro, specialist i buxhetit me cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë si dhe Soniel Prifti, drejtor i drejtorisë së taksave dhe tarifave vendore.

Hetimet kanë zgjatur 16 muaj.

“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 26.03.2024, ka caktuar këto masa sigurie për 4 shtetasit, sepse dyshohet se kanë shpërdoruar detyrat për të favorizuar subjekte të ndryshme, për mospagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja. Nga hetimet rezulton se kjo paligjshmëri iu ka sjellë subjekteve përfitime të padrejta monetare dhe i ka sjellë shtetit dëm ekonomik me vlerë mbi 30 milionë lekë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Personat nën hetim, gjithnjë sipas akuzës, dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtime të reja dhe komplekse të luksit në lagjet 1,2,3,11,12 të qytetit të Korçës në masë të ulët sesa ajo që duhet të paguajë nga subjektet./albeu.com