Inceneratori i Fierit, arrestohet në Gjermani Silvester Driza, një prej të kërkuarve nga SPAK

Silvester Driza është  arrestuar nga policia gjermane në  kuadër të  operacionit “Freiburg.”

Driza ishte shpallur në kërkim nga SPAK si i përfshirë në çështjen e inceneratorit të Fierit.

Driza akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale dhe arrestimi i tij është  bërë  me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

“Në vijim të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit policor të koduar “Freiburg”, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe shkëmbimit në kohë, nga Policia gjermane është kapur në Freiburg, Gjermani, dhe është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. D., 30 vjeç”, thuhet në  njoftim.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden/Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.

Akuzat 

Sipas akuzës së ngritur ndaj Drizës, ai ishte administratori i shoqërisë “Sili shpk”, përmes së cilës Klodian Zoto ka realizuar një skemë të pagesave fiktive.

“I pandehuri Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, si dhe të pandehurit Arenc Myrtezani dhe Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Integrated Technology  Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit. Këto pagesa të përfitimit të parregullt janë bërë nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, nëpërmjet transaksioneve fiktive në drejtim të shoqërive “Pivot 04” sh.p.k, me administrator shtetasin Arbër Denizi, “Sili” sh.p.k, me administrator shtetasin Silvestër Driza, “J.P.Y”sh.p.k, me administrator shtetasin Juri Ymeraj”, thuhet në dosjen e SPAK.

/Albeu.com/


Shtuar 22.02.2023 08:49