Personi në foton e mëposhtme, është 35-vjeçari Armand Spahiu, tregtar shumice i fruta perimeve, i cili u plagos aksidentalisht gjatë atentatit mafioz në Vlorë një natë më parë, 18 dhjetor.
Spahiu ndodhej në vendin dhe kohën e gabuar, kur breshëria e kallashnikovëve u zbraz mbi Kevin Hajrulla, 29-vjeçarin i cili dyshohet se ishte shënjestër e atentatit.
Ndaj tij u qëllua me 30 plumba dhe si pasojë i riu ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ndërsa Spahiu, fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë tre, ashtu si dhe në atentatet e tjera mafioze pas krimit dogjën në fshatin Panaja të Vlorës makinën me të cilën lëviznin.
Makina ishte me targa të vjedhura italiane, ndërsa policia gjeti brenda saj dy armë tip kallashnikov.
Kevin Hajrulla, është kushëriri i Inez Hajrulla, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia, i njohur gjithashtu si “i forti i Vlorës”.
Hajrulla, i cili është në kërkim i ka shpëtuar disa atentateve.