Këtë të hënë, Plarent Ndreca, u paraqit në Kryesinë e Kuvendit, për të drejtuar komisionin e posaçëm hetimor për kontratat në ‘shëndetësi ‘Check up’ dhe ‘sterilizimit’
Kjo është paraqitja e parë e Plarent Ndrecës pas 25 tetorit 2024, kur SPAK njoftoi se mbylli hetimet dhe mori të pandehur deputetin e PS, Plarent Ndreca për shkelje të barazisë në tenderë, në lidhje me kohën ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Në hyrje Ndreca shmangu përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve, për hetimin nga SPAK dhe a do japë dorëheqjen nga mandati.
“Sot kemi hetim parlamentar”, tha ai dhe vijoi normalisht drejtimin e komisionit.
As Petrit Vasili, i vetmi opozitar i pranishëm në këtë komision, nuk pati asnjë reagim por mbledhja vijoi normalisht me pyetjen e dëshmtarëve.
Plarent Ndreca, drejton sot komisionin hetimor për shëndetësinë, pasi kryetarja Albana Vokshi ndodhet në SHBA së bashku me një delegacion, në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen më 5 nëntor.
Ndërkohë, dëshmitarë në komision janë Alfred Careri, Gentian Keri dhe Juliana Hoxha.
SPAK ende nuk ka një njoftim zyrtar, por mësohet se bëhet fjalë për një tender për rikonstruksioni e 4 komisariateve të policisë në vend, nga të cilat u realizuan vetëm 2. Dosja u nis pas kallëzimit të bërë nga KLSH.