“I gatshëm të përballet me drejtësinë”, avokati tregon se ku ndodhej Dako në momentin që u dha lajmi për urdhër-arrestin

Avokati i ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, Petrit Ismaili, ka folur për mediat pasi ka dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku është njohur me akuzat që rëndojnë ndaj klientit të tij.

Ismaili tha se klienti i tij është i gatshëm të përballet me akuzat, ndërsa shtoi se në momentin që mësuan lajmin Dako ka qenë në Tiranë.

“Në momentin e arrestimit jam unë që kam njoftuar Drejtorinë e Policisë pas lajmit nga mediat, për vendndodhjen e Dakos. Dako ka qenë në Tiranë. Kur pamë që ka një masë sigurimi kemi njoftuar autoritetet që kanë ardhur dhe kanë zbaruar urdhrin, në kushtet e vetëdorëzimit.

Dako ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me SPAK kohët e fundit dhe ka dhënë të gjitha detajet e nevojshme në lidhje me çështjet për të cilat është pyetur. Ai është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ish-kreu i bashkisë Durrës ka shfaqur ndonjë problem shëndetësor, avokati u shpreh se për momentin ka vetëm stres.

“Dako nuk ka pasur probleme shëndetësore, pjesa emocionale dhe stresi janë prezentë por nuk ka probleme të tjera shëndetësore”, tha ai.


Shtuar 6.06.2023 22:15