Hungaria del kundër ndihmës së mëtejshme për Ukrainën, Orban: Është qesharake

Hungaria kundërshton planet e Komisionit Evropian për t’i ofruar më shumë para Ukrainës dhe nuk ka ndërmend të kontribuojë më tej në rritjen e kostos së Fondit të Rimëkëmbjes, tha sot kryeministri Viktor Orban në radion shtetërore.

Në margjinat e samitit të Brukselit, Orban vuri në dukje se kërkesa e Komisionit për Hungarinë për të kontribuar më shumë para është “qesharake”, ndërsa Budapesti, së bashku me Poloninë, nuk kanë marrë para nga Fondi i tyre i Rimëkëmbjes BE për shkak të mosmarrëveshjes së tyre me Brukselin mbi rregullin.

BE-ja do t’i ofrojë Ukrainës 50 miliardë euro ndihmë midis 2024 dhe 2027, njoftoi më 20 qershor presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Një gjë është e qartë: ne hungarezët nuk do t’i japim më shumë para Ukrainës derisa të na thonë se ku shkuan rreth 70 miliardë euro të mëparshme”, nënvizoi Orbán.

“Dhe ne e shohim krejtësisht qesharake dhe të paarsyeshme që duhet të kontribuojmë më shumë para për të financuar koston e shërbimit të një kredie, nga e cila nuk kemi marrë burimet që na takojnë,” shtoi ai.

Hungaria dhe Polonia janë të vetmet vende të BE-së që nuk kanë marrë fonde nga Fondi i Rimëkëmbjes, pasi Komisioni Evropian ka bllokuar lirimin e tyre, duke akuzuar qeveritë nacionaliste të dy shteteve për minimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë .

Kryeministri hungarez tha se nuk kishte pothuajse asnjë shans që vendet anëtare të BE-së t’i miratonin këto plane ekonomike, ndërsa parashikoi “një betejë të gjatë”.


Shtuar 30.06.2023 10:03