Portugalia është në shok, pasi 15 persona humbën jetën në daljen nga shinat e tramvajit elektrik 140-vjeçar Gloria, një atraksion i madh turistik në kryeqytetin Lisbonë.
18 persona të tjerë u dërguan në spital, pesë prej të cilëve në gjendje të rëndë, sipas shërbimeve të urgjencës.
Shtetas të huaj ishin midis viktimave në aksidentin i cili ndodhi rreth orës 18:05, megjithëse kombësitë nuk mund të konfirmoheshin, thanë autoritetet.
Kryetari i bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas, bëri një vizitë në spital të mërkurën në mbrëmje, duke e quajtur atë një “moment tragjik për qytetin”.
Qeveria e Portugalisë, e cila do ta presë kryetarin e bashkisë në një takim të kabinetit të enjten, ka shpallur një ditë zie kombëtare.
Presidenti i vendit, Marcelo Rebelo de Sousa, shprehu “ngushëllimet dhe solidaritetin e tij me familjet e prekura nga kjo tragjedi”.
Policia dhe punonjës të tjerë të emergjencës kaluan shumë orë në vendngjarje, ndërsa hetimet e ndryshme për incidentin – nga kompania që drejton funikularin, nga autoriteti kombëtar i sigurisë së transportit dhe nga policia kriminale – filluan.