-Gazetari Artan Hoxha rrëfeu në emisionin “Arnautistan” në MCN TV udhëtimin e tij në vendet e Amerikës Latine, ku tha se u befasua nga fakti që shqiptarët ishin faktorë në trafikun e kokainës.
Hoxha tha se shqiptarët jetonin në zona luksoze, ku janë rezidentë politikanë si Presidenti i Ekuadorit.
“Kam qenë në Kolumbi, Ekuador, Panama. Duke ndjekur zhvillimet në ato vende isha kurioz për të parë se çfarë ndodh atje. Befasia që pata, ishte që s’e mendoja që shqiptarët janë faktor atje. Çuditërisht ishin faktor. Kolumbia është 55 milionë banorë! Ekuadori 17 milionë. Serbët kishin shkuar shumë më parë se ne, por shqiptarët ishin spektakolarë. Ishin tregtarë shumice.
Në rastet e këtij viti më i ulëti ishte 1,8 tonë! Në këto vende gjeta profesorë, inxhinierë. Vajta për të parë saktësisht a është i vërtetë perceptimi se shqiptarët kanë shkuar në burim. Ne takuam autoritete atje. Trafikantët e kokainës s’janë domosdoshmërisht kriminelë, janë tregtarë të paligjshëm. Konstatova me keqardhje është fakti që edhe për 10 vjet ne e kemi të humbur davanë me ta. Pamë organizata shqiptare që operojnë në tre kontinente njëherësh. Me Shqipërinë i lidh vetëm origjina.
Atje s’ishin me pasaporta shqiptare. Jetonin në vende luksoze. Ata ishin komshinj me Presidentin e Ekuadorit. Grupet që pashë atje kanë një buxhet të jashtëzakonshëm, të frikshëm”, u shpreh Hoxha./mcn