Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të ri të kësaj gjykate. Pas përfundimit të mandatit të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zacaj, mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese, e thirrur nga kryetarja Marsida Xhaferllari vendosi fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit të GJK.
Njoftimi:
VENDIM Nr. 11, datë 02.12.2025 “PËR NISJEN E PROCEDURAVE PËR ZGJEDHJEN E KRYETARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE”
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Marsida Xhaferllari. Kryesuese Fiona Papajorgji, Anëtare Sonila Bejtja, Anëtare Sandër Beci, Anëtar Ilir Toska, Anëtar Genti Ibrahimi, Anëtar Marjana Semini, Anëtare Asim Vokshi. Anëtar e mbledhur në datën 02.12.2025, bazuar në nenit 7/d të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000), si dhe neneve 9 dhe 10 të të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese (Rregullorja), VËREN:
1. Me vendimin nr. 84, datë 23.12.2024 Gjykata Kushtetuese ka vendosur deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese zonjës Holta Zaçaj, në datën 10.03.2025.
2. Me vendimin nr. 2, datë 30.09.2025, Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ka vendosur zgjedhjen e zotit Asim Vokshi në detyrën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili në datën 25.11.2025 ka bërë betimin para Presidentit të Republikës.
3. Në përputhje me nenin 8, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit.
4. Me zgjedhjen e anëtarit më të ri, ka përfunduar ushtrimin e detyrës si anëtare e Gjykatës Kushtetuese zonja Holta Zaçaj, e cila njëkohësisht ushtronte edhe detyrën e Kryetares së kësaj Gjykate.
5. Në këtë situatë, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (Mbledhja e Gjyqtarëve), çmon se duhet të fillojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të ri. Në kushtet kur vendi ka mbetur vakant, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se afatet e parashikuara nga Rregullorja duhet të përgjysmohen, në përputhje me përcaktimet e pikës 6 të nenit 9 të këtij akti.
PËR KËTO ARSYE, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës, në mbështetje të neneve 7/d të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe neneve 9 dhe 10 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, VENDOSI: Fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa me shkrim për shprehje interesi nga gjyqtarët mund të paraqitet jo më vonë se 5 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Tiranë, më 02.12.2025
