Grusht shteti, ushtria del në rrugë, arrestohet kreu i qeverisë, reagojnë SHBA-të dhe BE

Kryeministri i Sudanit, Abdallah Hamdok ndodhet në arrest shtëpiak, njoftoi shërbimi në gjuhën arabe të Sky News, duke cituar një deklaratë nga zyra e tij.

Më herët, Ministria Sudaneze e Inteligjencës konfirmoi se shumica e anëtarëve të kabinetit dhe këshillit kombëtar të sovranitetit, i cili ndërmori tranzicionin demokratik të vendit pas përmbysjes së Omar El Bashir në vitin 2019, janë arrestuar.

Ende nuk është e qartë se urdhrave të kujt I bindet ushtria për të ndërmarrë një veprim të tillë, por duket se kemi të bëjmë me një puç.

Raportohet se ushtria sulmoi dhe arrestoi shumë punonjës në selinë e radios dhe televizionit publik në Omdurman, qyteti binjak i kryeqytetit Khartoum, siç njoftoi Ministria e Informacionit përmes Facebook.

“Ushtria përfitoi nga kriza”

Drejtori i zyrës së kryeministrit i tha televizionit Al Arabiya se ushtria sudaneze kishte nxitur trazira në lindje të vendit dhe po përfitonte nga kriza për të kryer një grusht shteti kundër qeverisë sot.

Grushti i shtetit ndodhi pavarësisht një marrëveshjeje të arritur nga Hamdock me kreun e Këshillit Kombëtar të Sovranitetit në pushtet, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, në prani të të dërguarit të posaçëm të SHBA, Jeffrey Feltman, shtoi ai.

Nga ana e saj, Ministria sudaneze e Informacionit njoftoi se vendi po përballet me një grusht shteti ushtarak në shkallë të gjerë dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve.

Populli sudanez duhet të përpiqet të ndalojë ushtrinë nga përpjekjet për të bllokuar tranzicionin demokratik, tha ai për Reuters.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të vazhdojnë marshimin derisa përpjekja për grusht shteti të anulohet,” tha ministria e informacionit.

Hamdock u bën thirrje qytetarëve të dalin në rrugë

Përveç kësaj, Hamdock u bëri thirrje sudanezëve të dalin në rrugë për të mbrojtur revolucionin në mënyrë paqësore, në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Inteligjencës.

Sipas të njëjtit burim, kreu i qeverisë u transferua në një vend të panjohur, pasi ai refuzoi të mbështeste puçin ushtarak.

Shqetësim nga BE, SHBA

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka shprehur sot shqetësimin e tij të madh për zhvillimet në Sudan.

“Unë jam duke ndjekur me shqetësim të madh ngjarjet që po zhvillohen në Sudan. “BE u bën thirrje të gjitha palëve dhe partnerëve në rajon që ta kthejnë procesin e tranzicionit politik në rrugën e duhur,” shkroi Borrell në Twitter.


Shtuar 25.10.2021 10:32