Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Lviv, në perëndim të Ukrainës, ka vënë në lëvizje autoritetet ukrainase, të cilat kanë hapur hetime pas përplasjes mes personelit ushtarak, policisë dhe qytetarëve gjatë përpjekjes për rekrutimin e një të riu në shërbimin ushtarak.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se për këtë rast janë regjistruar dy hetime paraprake penale. Në episod u përfshinë pjesëtarë të forcave të armatosura, punonjës policie dhe afërsisht 200 qytetarë.
Të lidhura
None found
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale shihen dhjetëra persona teksa rrethojnë një automjet ushtarak, brohorasin “turp” dhe ofendojnë personelin. Më pas, turma thyen xhamin e përparmë të mjetit dhe në fund e përmbys atë, ndërsa të pranishmit duartrokasin.
Sipas qendrës rajonale të rekrutimit, gjithçka filloi kur një i ri u ndalua për verifikim dhe rezultoi se kishte shkelur rregullat që lidhen me rekrutimin ushtarak. Autoritetet ushtarake deklaruan se një grup qytetarësh e rrethoi automjetin e shërbimit, u soll në mënyrë agresive, i shkaktoi dëme të mëdha dhe më pas e përmbysi.
Policia, nga ana e saj, bëri të ditur se ka nisur hetime edhe për sulm ndaj një efektivi, ndërsa sqaroi se personi i dyshuar është identifikuar.
Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovy, e dënoi incidentin, duke e përshkruar si “të tmerrshme”. Ai theksoi se pengimi i ushtrisë në ushtrimin e detyrës, dëmtimi i pronës publike dhe aktet e dhunshme nuk mund të pranohen.
Më shumë se katër vjet pas fillimit të pushtimit rus, rekrutimi për ushtrinë mbetet një nga temat më të ndjeshme në Ukrainë. Në një sërë rastesh, ky proces është shoqëruar me episode dhune, ndërsa shumë burra përpiqen t’i shmangen rekrutimit ose të dalin ilegalisht nga vendi.
Në këtë moment, ushtria ukrainase ka rreth 900 mijë ushtarë dhe çdo muaj merr rreth 30–35 mijë rekrutë. Legjislacioni në fuqi parashikon që burrat nga mosha 25 deri në 60 vjeç nuk mund të largohen nga Ukraina pa një leje të posaçme.
