Greqia në krizë për puntorë, do lejojë të huajt të punojnë pa dokumente në bujqësi dhe ndërtim

Qeveria greke po planifikon t’i mundësojë qindra mijëra emigrantëve, aktualisht pa dokumente, që të punojnë në bujqësi, ndërtim dhe turizëm.

Greqia, si shumë vende të tjera europiane, kërkon urgjentisht të plotësojë boshllëqet në tregun e punës, veçanërisht pasi shumë njerëz u larguan nga fuqia punëtore gjatë pandemisë COVID-19.

Ministri grek i migracionit, Dimitris Kairidis, ka bërë të ditur se qeveria po shqyrton mundësinë e lejimit të emigrantëve ende të paregjistruar të punojnë në disa sektorë, për të adresuar mungesat.

Plani, i cili është i ngjashëm me një reformë në Itali në vitin 2020, pritet të prekë rreth 300,000 emigrantë që janë pa dokumente ose të cilëve u ka skaduar leja e qëndrimit.

“Duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë me popullsinë që është tashmë në vendin tonë, pa krijuar magnete të tjera që të tjerë të vijnë ilegalisht”, tha Kairidis në një intervistë për televizionin grek.

Ministri grek pritet të përshkruajë nismën në një takim të kabinetit muajin e ardhshëm, tha një zyrtar i ministrisë së Migracionit për Reuters.

Ministri i Bujqësisë, Lefteris Avgenakis, thotë se vendi ka nevojë për rreth 180,000 punëtorë për tokat çdo vit. Në të kaluarën, disa nga këto vende pune janë plotësuar duke përdorur skemat e punëtorëve me Shqipërinë, Bangladeshin, Indinë dhe Egjiptin, por vonesat e shkaktuara nga burokracia kanë çuar në mungesa, sipas ministrit.


Shtuar 27.09.2023 17:28