Goditja ndaj organizatës kriminale “Çopja”/ Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrot e pasurive për anëtarët e grupit (EMRAT)

Ditën e sotme (19 Shtator), Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi masën e sekuestros preventive për pasuritë e të dyshuarve Arben Lamçja, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërive “Elba Beton”, “Hotel Demis” dhe personave të tjerë nën hetim.

Pasuritë e tyre ishin vënë më parë në masën e sekuestros nga GJKKO e shkallës së parë, me kërkesë të SPAK, teksa të dyshuarit nuk kishin ushtruar të drejtën e ankimit.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit të Prokurorise se Posaçme më 31 korrik, ku kërkoi arrestimin e 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11, ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg, pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për rastin po zhvillohen hetime edhe për një dekonspirim të mundshëm të operacionit.

Grupi në fjalë, ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, akuzohen nga Prokuroria për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror.

Franc Çopja, u arrestua për llogari të Belgjikës, ndërsa Hajdar Çopja vijon të jetë në kërkim, ku ka të dhëna se ndodhet në Dubai.

Një pjesë e pasurive të organizatës kriminale të drejtuar nga Çopjajt, rezultonin në emër të Arben Lamçes, i arrestuar në Kosovë dhe i ekstraduar së fundmi në Shqipëri, ku akuzohet për sigurim kushtesh për vrasjen e Nuredin Dumanit dhe pastrim parash.


Shtuar 19.09.2024 12:39