Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, vijon dhe në seancën e sotme do të paraqiten deklaratat përmbyllëse të përfaqësuesit të viktimave, të mbrojtjes dhe do të flasin edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Katërshja e UÇK-së, do t’i drejtohet trupit gjykues me fjalime nga 20 minuta secili.
Sipas informacioneve paraprake, në këtë seancën përmbyllëse, pritet që të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca.
Në seancën e fundit, pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, nisën pyetjet e gjykatës dhe më pas të prokurorisë.
Pritet që pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, ku gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Një ditë më parë që shënonte edhe 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë u mbajt një marshim qytetar në shenjë solidariteti dhe revolte kundër kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e katër ish-krerëve me 45 vite burg secilit.
