Pak ditë më parë, forcat e policisë të ndihmuara nga forcat speciale RENEA, kanë kontrolluar disa shtëpi në Shijak, për të mbledhur prova që mund të çonin në gjurmët e Ervis Martinajt.
Por kontrolli në tre banesat në fjalë është kthyer në një konflikt mes Gjykatës dhe Prokurorisë. Kjo pasi “togat e zeza” të shkallës së parë në Kurbin refuzuan fillimisht kërkesën, por Prokuroria e dërgoi çështjen në Apel ku ka marrë aprovimin për bastisjet. Aksioni i zhvilluar pak ditë më parë nga RENEA në Shijak nuk gjeti asnjë provë.
Dy nga shtëpitë e kontrolluara i përkasin anëtarëve të një fisi në Shijak, ndërsa banesa e tretë i përket një personazhi tjetër të botës së krimit në vend.
Në tri banesat policia nuk gjeti asnjë send të paligjshëm, e mbi të gjitha nuk konstatoi asnjë gjurmë që mund të zbardhte sado pak se çfarë ka ndodhur me të kërkuarin Ervis Martinaj.
Ora News ka mësuar se kontrolli i urdhëruar nga Prokuroria e Laçit, ishte planifikuar të kryhej gati 1 muaj më parë.
Por shkak për vonesën është bërë Gjykata e Laçit, e cila nuk pranoi të miratojë kërkesën e Prokurorisë për të ushtruar kontroll në tri banesat në Shijak.
Nga ana tjetër prokurori i çështjes që po ndjek hetimin, ka apeluar më urgjencë vendimin e Gjykatës, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Apelit.
Kjo e fundit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë, çka solli javën e kaluar kryerjen e kontrolleve në Shijak.
Sipas burimeve kontrolli është bërë dy muaj nga kallëzimi i familjarëve që denoncuan humbjen e kontakteve me Ervis Martinaj.
Zhdukja e tij ka impenjuar dhjetëra oficerë të Krimeve të Rënda në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat janë duke punuar me shpresën e zbulimit të misterit nëse Martinaj është gjallë apo është vrarë.
Për zbardhjen e të vërtetës ka lëshuar një ultimatum dhe kryeministri Edi Rama, i cili u ka kërkuar bluve ti thonë publikut çfarë ka ndodhur.
Martinaj, është parë për herë të fundit në 7 gusht 2022 në ambjentet e një hoteli në plazhin e Durrësit dhe një ditë më pas, në 8 gusht 2022, në Tiranë në ambjentet e një biznesi në zonën e “Zogut të Zi”.
Personat e fundit me të cilët ai ka qenë në shoqëri në datën 7 gusht 2022 në Durrës, ishin Jeton Lami, ndihmës specialist tek Operacionalja e Policisë së Shtetit dhe një vajzë nga qyteti i Durrësit.