Gjykata e Lartë kërkon nën presion betimin e gjyqtarit të saj Asim Vokshi, për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe pse kandidatja më e votuar Naureda Llagami është duke ndjekur betejën ligjore për të njohur rezultatin e saj si fituese e konkurrimit për anëtarin e ri të Kushtetueses pasi ka marr 3 vota më shumë se Vokshi, ndonëse një ju konsiderua e pavlefshme nga komisioni me sekretarët e Gjykatës së Lartë.
Duke qenë se Gjykata administrative nuk shqyrtoi kërkesën e Llagamit për pezullimin edhe shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë , ju drejtua gjykatës kushtetuese duke e vlerësuar dëmin e pariparueshëm nëse emërohet Asim Vokshi, në një proces të parregullt që ngre hije dyshimi mbi integritetin e drejtësisë edhe mes vetë gjyqtarëve.
Por mbledhja e posaçme e gjyqtarëve ka marr një tjetër vendim që thellon krizën e besueshmërisë në procesin e përzgjedhjes. Së fundmi, më 15 tetor Gjykata e Lartë ka depozituar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Holta Zacaj nga shqyrtimi i çështjes që lidhet me padinë e Naureda Llagamit.
Në një situatë të paprecedentë, Gjykata e Lartë tenton të urdhërojë Gjykatën Kushtetuese e cila në hierarkinë e drejtësisë është mbi të gjithë, se si të procedojë në shqyrtimin e një cështje që i takon ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që është vetë palë.
Pas një procesi krejt të dyshimtë, ku Top Channel ka publikuar dokumente edhe audio se si është hedhur poshtë një votë për Naureda Llagamin nga komisioni teknik i sekretareve te gjykatës së Lartë, ku edhe kryetari i saj Sokol Sadushi ka cënuar zërat kundërshtues të gjyqtarëve kundrejt këtij veprimi; vjen një tjetër kërkesë. Në shkresën zyrtare pretendohet se pjesëmarrja e gjyqtares Zacaj në trupin gjykues krijon një konflikt interesi për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që vendimi i saj ka mbi fatin e çështjes dhe aktivizimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.
Në dokument theksohet nevoja për garantimin e paanshmërisë objektive të Gjykatës Kushtetuese… dhe moslejimi i ndikimit personal në vendimmarrje. Por këto leksione, duket se nuk janë praktikuar në procesin e votimit nga Gjykata e Lartë, që kërkon të mësojë Gjykatën Kushtetuese, e cila ka një rol thelbësor në balancën e pushteteve dhe mbrojtjen e Kushtetutës, dhe çdo dyshim mbi mënyrën se si zgjidhen anëtarët e saj minon jo vetëm legjitimitetin e gjykatës, por edhe besimin e qytetarëve tek drejtësia.